Bremer: Të qenët në Juventus nënkupton të jesh në nivel shumë të lartë - NACIONALE

Bremer: Të qenët në Juventus nënkupton të jesh në nivel shumë të lartë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gleison Bremer debutoi në Serie A me fanellën e re, atë të Juventusit, në fitoren që "zonja e vjetër" e arriti me shifra 3:0 kundër Sassuolo.

Juventus është duke vazhduar që të bëhet gati për sezonin që e pret, ku synimet janë maksimale. Me pak fjalë, torinezët kanë qëllim që ta rikthejnë në sirtarin e tyre titullin kampion.

Titulli në fjalë i mungon atyre tani e dy sezone. Por, me investimet që ka bërë klubi, tani si objektiv ka ngushtimin e disavantazhit me skuadrat milaneze.

Njëri prej lojtarëve që ka kushtuar më së shumti në këtë treg kalimtar është Bremer. Mbrojtësi brazilian pasi debutoi me Juventusin në Serie A, u shpreh i kënaqur për fitoren e arritur kundër Sassuolos.

Deklarimi i Bremer

Gleison Bremer dje formoi dyshen e qendërmbrojtjes kundër Sassuolos. Ky besohet se do të jetë edhe tandemi i cili do ta udhëheqë skuadrën në vijën e fundit të mbrojtjes.

"Ka qenë e rëndësishme të fitonim dhe - mbi të gjitha - nuk kemi pranuar gol. Të jesh në Juventus nënkupton që je në një nivel shumë të lartë. Duhet gjithmonë që të kemi synime të mëdha dhe të jemi gjithnjë të kujdesshëm, sepse çdo ndeshje është e rëndësishme"
, nënvizoi braziliani.

Në vazhdim të prononcimit dhënë për mediet italiane pas ndeshjes, ai shpjegoi edhe faktin që është duke punuar vazhdimisht, në mënyrë që të përfshihet sa më mirë në skemat e skuadrës së drejtuar nga Max Allegri.

"Jam duke punuar rreth taktikës dhe paksa po bëj edhe punë teknike. Është paksa ndryshe të mbrohesh kështu në krahasim me të kaluarën. Mirëpo, e rëndësishme është të mos pranosh gol, pa marrë parasysh a luan me vendosje me 3 apo me 4 në mbrojtje"
, përfundoi Bremer.

Bremer ishte njëri prej objektivave kryesorë të Interit. Në disa momente u pa që ishte çështje formale kalimi i tij te "zikaltërtit". Sidoqoftë, gjërat ndryshuan në vazhdim, me Juventusin që hyri në garë dhe u tregua më dinak, duke fituar garën me rivalin e drejtpërdrejtë dhe të urryer.
Qendërmbrojtësi 25-vjeç arkave të Juventusit i kushtoi 41 milionë euro, pasi ishte në skadim të kontratës me rivalin lokal, Torinon. Ai nuk ka shfaqur fare dëshirë që ta vazhdojë kontratën me Torinon dhe - si rrjedhojë - ka filluar gjuetia e disa klubeve për t'i fituar shërbimet e tij.

Njëherazi, ai është edhe lojtari për të cilin Juventus ka paguar më së shumti në këtë afat kalimtar. Bremer te Juventus erdhi si zëvendësues i De Ligt, pasi gjiganti holandez u transferua te Bayern.

Lajme të ngjashme