‘Dështaku’ i Real Madridit Eden Hazard po i kthehet futbollit
Ish-lojtari i Chelseat dhe Real Madridit, ylli Eden Hazard, do t’i kthehet fushave të futbollit përsëri, por kësaj radhe do të paraqitet në një ndeshje bamirësie, teksa ende nuk dihet se karriera e tij si profesionist do të vazhdojë apo jo.
Ish-reprezentuesi belg aktualisht është pa klub pasi ndërpreu kontratën e tij me Real Madridin në fund të sezonit 2022/23. Mes spekulimeve në lidhje me të ardhmen e tij, Hazard është gati të hyjë në një fushë futbolli në tetor dhe do të luajë për Varietes Club de France në një ndeshje bamirësie. Ai do të bashkohet me legjendat e Francës, Laurent Blanc dhe Didier Deschamps dhe gjithashtu do të shoqërohet nga ish-shokët e tij të skuadrës në Lille, Yohan Cabaye dhe Mathieu Debuchy, sipas L' Équipe.

Ndeshja do të luhet për një kauzë fisnike në Stade de L'Epopee në Calais para 12,000 njerëzve.
Ylli 32-vjeçar kishte oferta nga ish-klubi i tij Lille dhe nga gjigantët e Ligue 1 Marseille në verë, por lojtari thuhet se i refuzoi ato. Ai gjithashtu ishte i lidhur me një rikthim te Chelsea, por në realitet, nuk pati bisedime mes dy palëve.
Ndërsa Hazard do ta bëjë rikthimin në fushën e futbollit, e ardhmja e tij në futbollin profesionist mbetet ende e dyshimtë pasi ai ende nuk ka vendosur nëse do të tërhiqet apo të vazhdojë karrierën e tij.

