De Gea: Shpresoj se do të jemi më të mirë këtë vit, pas një sezoni të turpshëm që kaluam
Portieri i Manchester United, David de Gea, ka treguar vetën se pse është zgjedhja e parë në skuadër, pas disa hamendjeve në kohën e Ole Gunnar Solskjaer dhe tani shpreson se do ta përfundojë karrierën në këtë klub.
Spanjolli gjatë një interviste ka folur për shumë gjëra, për vitin e tmerrshëm që patën si skuadër sezonin e kaluar, për këshillat që i dha Sir Alex Ferguson, pas dështimit në penallti në finalen e Ligës së Evropës dhe shumë gjëra tjera.
De Gea kishte nënshkruar me djajtë e kuq në vitin 2011 në kohën e Fergusonit, dhe është i vetmi tani nga lojtarët që janë në grumbullim që të fituar titullin e kampionit të Premierligës. Ai gjithashtu ka fituar Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës, ndërsa në Evropë ka fituar një Ligë të Evropës, duke qenë pesë herë lojtari më i mirë i United në 487 paraqitjet e tij për këtë skuadër.
Më 31 gusht të vitit 2015, 31-vjeçari ishte shumë afër kalimit në Real Madrid, nëse faksi do të arrinte në kohë. Por tani De Gea është i gatshëm të nënshkruaj për djajtë e kuq deri në përfundim të karrierës së tij.
“Po, do e bëja nëse do të ishte e mundur. Nëse ata më lejojnë të qëndrojë, do të qëndrojë, sigurisht. Jam shumë rehat këtu, i lumtur dhe me shpresë se do të fitojë diçka të madhe deri në largimin tim.”
Portieri spanjoll ka kontratë momentale vetëm deri në verën e vitit të ardhshëm, por që ka mundësinë e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
“Nuk kam folur ende me askënd për rinovimin e kontratës. Por dua që të jem këtu edhe për shumë vite tjera.”
Në sezonin e kaluar, United përfundoi e gjashta, jashtë zonës së Ligës së Kampionëve dhe 35 pikë mbrapa kampionit e rivalit të qytetit, Manchester Cityt.
31-vjeçari foli me kritika për sezonin e kaluar, duke thënë se nuk duhet ta bëjnë gjënë e njëjtë këtë vit.
“Ne nuk mund të bëjmë një sezon të tmerrshëm sërish si vitin e kaluar. Shpresojë se do të luajmë shumë më mirë. Ishte e dhimbshme aj sezon i vitit të kaluar, na shkaktoi dhimbje dhe është e papranueshme për një skuadër si United, por ndonjëherë duhet të ndjesh dhimbje që të vazhdosh përpara.”
Nëse De Gea do të kishte kaluar te Real Madridi në vitin 2015, tani në sirtarin e tij do të kishte pesë Liga të Kampionëve, gjithashtu tre LaLiga, por ai nuk ka pendesë për këtë pjesë.
“Jo. Mendoj vetëm për Manchesterin. Është shtëpia ime, është privilegj dhe nder të jem në këtë skuadër. Një nga gjërat më të mira të jetës sime që kam arritur. Fitova apo nuk fitova, të jesh pjesë e kësaj skuadre do të thotë më shumë se trofe. Sigurisht, që ne duam të fitojmë por ta përfaqësosh Unitedin është më e madhe se çdo trofe.”
Jose Mourinho kishte thënë në një intervistë se të jetë portieri fitues i lojtarit më të mirë të skuadrës pesë herë, është sinjal që nuk ka trofe në atë skuadër.
Me këtë deklaratë pajtohet plotësisht vet portieri që ka fituar këto çmime.
“Po, pajtohem plotësisht. Ishte mirë për mua që i fitova por pajtohem me deklaratat e Mourinhos. Do të duhej të ishte një sulmues apo mesfushor, shpresoj që këtë vit të jetë ndryshe.”

Gjithmonë ka optimizëm kur arrin një trajner i ri në skuadër. Erik ten Hag është trajneri i pestë te United që nga viti 2013, dhe në pyetjen se a mund të pritet sukses nga trajneri i ri, pas dështimit të katër trajnerëve paraprak, ku edhe triumfi i fundit është nëntë vite më parë, ai u përgjigj kështu:
“Nuk e di, duhet kohë ta shohim dhe nuk mund ta dimë të ardhmen. Ky është vetëm fillimi, por lojtarët janë duke punuar fort, ndjej energjinë e mirë dhe fokusin e skuadrës. Po përgatitemi për ndeshjet e para.”
“Trajneri i ri është shumë punëtor, e dëshiron fokusin 100 %. Bëri ndryshime, kështu që ne duhet të adaptohemi me lojën e tij, dhe besoj si fillim e kemi arritur në këto miqësoret e para.”
Dy vite më parë në kohën e trajneri norvegjez, ishte caktuar Dean Henderson, si zgjedhje e parë në portë, por ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të vitit e startoi De Gea, atë të finales së Ligës së Evropës, kundër Villarrealit, ku në fund doli fytyra tragjike duke humbur penalltinë vendimtare.
“Ai sezon nuk e kishte përfundimin më të mirë. Por jeta është kështu nganjëherë. Është e çuditshme të vijë radha për të goditur një penallti, por ndodhi.”
“Ferguson më ndihmoi ta kaloja atë kohë të keqe duke më thënë “Gjëra si këto ndodhin, ishte një penallti dhe kaq. Sigurisht ishte një finale e humbur, por duhet të vazhdosh të punosh dhe të tregosh që je më i miri në vitin e ardhshëm”.”
Për fund, David de Gea, tha se ëndrra është që të fitojnë trofe sa më shumë dhe pse jo të arrijnë edhe trofeun e Ligës së Kampionëve në vitet në vazhdim.
“Disa tituj të tjerë të fituar është ëndrra ime, të tentojmë ta fitojmë Ligën e Kampionëve në vitet e ardhshme gjithashtu. Duhet të luftojmë për gjithçka.”

