Çudirat e Kosovës: Cilat janë gjasat që një portier të shënojë gol e tjetri të hajë shqelma në pak sekonda?
Rrallë ndodh që një portier të shënojë gol në një ndeshje. E edhe më rrallë ndodh që një portier të sulmohet brutalisht nga tifozët. Të gjitha këto, ndodhën në harkun e pak sekondave në Gjilan.
Ballkani nga Suhareka ishte rrugës për të fituar një ndeshje shumë të rëndësishme që do t’i jepte një avantazh të madh në luftën e saj për titullin kampion.
Gjilani në anën tjetër – përkundër Ismet Munishit, investimeve, shumë viteve në pritje dhe futbollit të bukur – me humbjen nga Ballkani po përshëndetej me titullin.
Ndeshja që nisi prej orës 14:30 ishte tepër e rëndësishme për ecurinë e garave në Superligën e Kosovës, dhe tensionet dolën përtej asaj që ishte imagjinuar.
Ballkani kaloi në epërsi me një gol të Ermal Krasniqit dhe luajti më mirë gjatë gjithë pjesës së parë. Por, në pjesën e dytë – ndoshta të motivuar nga trajneri i tyre Ismet Munishi – Gjilani bëri përmbysje në lojë duke mos pasur se çka të humbte.
Nëse do të fitonte, Ballkani do të shkonte në kuotën e 57 pikëve derisa Gjilani do të mbeste me 49 pa gjasa reale për ta rivalizuar. Nëse do të barazonte, Ballkani do të kishte 55 e Gjilani 50, gjë që megjithatë mund të shihej si një epërsi e përmbysshme nëse fusim në ekuacion edhe fatin.
Por, fati deshi që minutat e fundit të ndeshjes të ishin të dedikuara për dy portierë që vodhën – për gjëra krejtësisht të ndryshme – protagonizmin e ndeshjes.
Ishte portieri Enea Koliqi që shënoi gol për të barazuar rezultatin pas kohës shtesë (90+) dhe kjo bëri që i gjithë stadiumi të shpërthente në gëzim të shfrenuar duke e ndjekur vrapimin e gëzimit të portierit nga Shqipëria.
Por, në anën tjetër portieri Stivi Frashëri nuk do ta vuante fati ne të pranuarit gol nga portieri aq sa të shqelmave që do të pësonte nga tifozët e Gjilanit.
Të gjitha këto ndodhën brenda një minute lojë.
Të dy këta portierë – me fate të ndryshme në këtë ndeshje – kishin qenë edhe bashkëlojtarë te ekipi i Teutës ku edhe e kishin fituar kategorinë superiore.
Stivi Frashëri kishte qenë portieri i dytë zëvendësues pikërisht për Enea Koliqin.
Të dy këta portierë nga Shqipëria, me gjithë atë që bënë në fushë, megjithatë humbën shkëlqimin dhe lavdinë në fushën e lojës që u suspendua pas akteve të papranueshme nga tifozët.
Ndeshja tashmë është suspenduar dhe është është e gjasshme mundësia që Ballkani megjithatë të fitojë ndeshjen në tavolinë, 0:3, që efektivisht edhe do t’i jepte kurorën e kampionit ekipit suharekas. Por, një gjë e tillë edhe do ta bënte të panumërueshëm golin e shënuar nga portieri Enea Koliqi.
Ndërkohë që së fundi u mësua që ka dhënë dorëheqje morale kryesia e tifozërisë "Skifterat" nga Gjilani.