Conte: Nuk duhet të tregohemi mendjemëdhenj dhe arrogantë, ende s'jemi afër Manchester Cityt dhe Liverpoolit - NACIONALE

Conte: Nuk duhet të tregohemi mendjemëdhenj dhe arrogantë, ende s'jemi afër Manchester Cityt dhe Liverpoolit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Antonio Conte mendon se akoma dallimi me Manchester City dhe Liverpool nuk është ngushtuar, duke bërë thirrje që skuadra të mos tregohet mendjemadhe dhe arrogante.

Ardhja e Antonio Contes në drejtimin e stolit të Tottenham është parë si një lëvizje e qëlluar, aq më shumë kur Spurs ia dolën që ta përmbysin Arsenalin, duke zënë vendin e katërt në javët e fundit të kampionatit - për ta blinduar kësisoj një vend që shpie në Ligën e Kampionëve për edicionin 2022/2023.

Vetë fakti që njihet si një trajner fitues, bën që sa herë skuadrat e tij ta nisin kampionatin, objektivat të jenë shumë të larta. Mentaliteti fitues është në ADN-në e tij. Të njëjtën pritet t'ia transmetojë edhe skuadrës që tani drejton.

Sidoqoftë, ai ka frenuar para se të nisë sezoni i ri, duke thënë se Tottenham akoma ka punë për të bërë, me Manchester Cityn dhe Liverpool që janë dukshëm më favoritë për titull.

Nevoja për të mos u treguar mendjemëdhenj dhe arrogantë

Në kuadër të një interviste dhënë për mediumin italian, Sky Sport Italia, Antonio Conte ka folur hapur për sezonin e ri dhe pritshmëritë që ka.

"Sinqerisht, ne duhet të jemi të aftë të mos shndërrohemi në mendjemëdhenj dhe arrogantë. Nuk duhet të mendojmë që në shtatë muaj e kemi ngushtuar dallimin që ekziston prej shumë kohësh me Liverpool dhe Manchester City. Por, edhe Chelsea së voni ka fituar Ligën e Kampionëve"
, theksoi ai.

Sipas tij edhe Manchester United gjendet aty sa i përket cilësisë që ka, ndonëse në vitet e fundit ka pasur disa vështirësi.

"Pastaj, aty është edhe Manchester United, i cili ka hasur paksa në vështirësi gjatë viteve të fundit, për dallim nga Manchester City dhe Liverpool. Klopp ka qe gjashtë vite që marshon me idetë e tij te Liverpool dhe është i mbështetur edhe nga drejtuesit e klubit"
, shpjegoi ai.

Pritshmëritë rreth Kane dhe Son

Trajneri italian ka shprehur fjalë miradije për dy benjaminët e skuadrës, Kane dhe Son, duke thënë se ata janë aq cilësorë, sa do të mund të luanin në secilën skuadër të rëndësishme.

"Janë dy lojtarët më të spikatur në skuadër. Dy lojtarë të mëdhenj, të cilët mund të luajnë në të gjitha skuadrat e rëndësishme. I shoh shumë të përqendruar dhe të lumtur"
, deklaroi ai.

Ai tregoi edhe për atë se çfarë dallimesh vërejnë te klubi Kane dhe Son për dallim nga sezonet e kaluara.

"Vërejnë që ka mbetur një bazë e lojtarëve nga sezoni i shkuar dhe që po përpiqet që të implementohet ajo bazë për ta shtuar sasinë dhe cilësinë e organikës së skuadrës, ngase duhet të ballafaqohemi në katër kompeticione. Kane dhe Son e ndjejnë që rrugëtimi i marrë në letër është i mirë", nënvizoi Conte.

Conte flet edhe rreth pretendentëve për titull

Tashmë është e qartë se kur flitet për titullin kampion në Angli dhe favoritin për ta fituar atë, janë dy klubet, Manchester City dhe Liverpool, ato që përmenden menjëherë.

Për Antonio Conten numri i skuadrave që mund të luftojnë për titull është akoma më i madh se kaq.

"Po nisi nga premisa që në Angli, duke iu referuar historisë dhe investimeve, ka katër skuadra që fillojnë një hap para të tjerave: Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Chelsea. Për shembull, Chelsea ka zëvendësuar Lukakun me Sterling, Rudiger është larguar dhe ka ardhur Koulibaly"
, potencoi ai.

Tutje, ai u ndal me theks të veçantë edhe te "djajtë e kuq", duke i marrë shembull ata që jo gjithmonë nëse shpenzon ia del të fitosh.

"Manchester United është një klub i madh. Ka shumë tifozë anëkënd botës dhe mund të shpenzojë para, por jo gjithmonë kush shpenzon, fiton. Para dy vitesh Manchester United ishte mbrapa Manchester Cityt, pastaj bleu Cristiano Ronaldon, Sanchon dhe Varane - dhe përfundoi në pozitën e gjashtë"
, përfundoi Conte.

Lajme të ngjashme