Conte: Ne shpenzojmë 100 milionë për gjashtë lojtarë, Manchester City dhe Liverpool i shpenzojnë për një vetëm
Antonio Conte është paraqitur në konferencë për shtyp para ndeshjes së parë kampionale që Tottenham do ta zhvillojë në fushën e vet kundër Southampton, të shtunën në ora 16:00.
Si trajner italiani njihet për daljet e tij publike, ku shpesh edhe ankohet ndaj pronarëve të klubit, për mos investime të mjaftueshme në kontekstin e blerjes së lojtarëve.
Sot, një gjë të tillë nuk e bëri drejtpërdrejt, por ua sqaroi gazetarëve dallimin që është mes klubit të Tottenham dhe Manchester City e Liverpool, sa i përket mundësive për të shpenzuar në afatin kalimtar të lojtarëve.
Sipas tij, Tottenham akoma nuk është në stad të atillë, aq sa të trumbetojë për ta ngushtuar dallimin me dy skuadrat e sipërpërmendura, edhe për shkak të shpenzimeve në lojtarë që nuk janë të krahasueshme.
Dallimi në buxhet mes Tottenhamit dhe Manchester Cityt e Liverpoolit sipas Contes
Antonio Conte që në fillim të konferencës ka dashur të nënvizojë faktin se jo gjithçka lidhet me shpenzimet e bëra, duke dhënë edhe shembuj konkretë.
"Manchester United përfundoi në pozitën e gjashtë sezonin e kaluar, edhe pse kishin blerë Sancho, Varane dhe Ronaldo. Dy sezone më herët, e mbyllnin kampionatin në vendin e dytë. Duhet të kesh kujdes ndaj të gjithë këtyre situatave, sepse e dimë që në Angli është vështirë të fitosh. Ne duam që të përmirësohemi për dallim nga sezoni i kaluar. Këtë e kemi synim", shpjegoi ai.
Ai nuk la pa komentuar edhe Manchester Cityn dhe Liverpoolin, duke bërë një krahasim me shifra të shpenzimeve.
"Nëse më pyesni për Manchester Cityn dhe Liverpoolin, përgjigja ime është se po flasim për dy klubet më të mira në botë, të cilat punojnë me të njëjtin trajnerë qe shtatë vite. Ti ke në gatishmëri për të shpenzuar 100 milionë funte për gjashtë lojtarë, ata e bëjnë të njëjtin shpenzim për një ose dy lojtarë. Ky është dallimi. Meritojnë të qëndrojnë aty ku janë, sepse punojnë mirë, kanë trajnerët e njëjtë prej kohësh dhe i përkrahin", përfundoi Conte.
Antonio Conte ia doli që ta mbyllë me sukses sezonin e tij të parë me Tottenhamin, duke ua siguruar një vend në Ligën e Kampionëve, duke bërë që ta përmbysnin në pikë rivalin e urryer lokal, Arsenalin.
Gjatë këtij afati kalimtar, Tottenham ka shpenzuar 101,9 milionë euro, ku veçohet transferimi i sulmuesit Richarlisson nga Everton për një shumë rreth 58 milionë eurosh. Po ashtu, Spurs kanë siguruar edhe shërbimet e Bissouma për 29 milionë euro, Spence për 14,7 milionë euro, si dhe të Perisic, Lenglet dhe Forster që janë zyrtarizuar në formë huazimi.

