Chelsea e do me çdo kusht Koulibalyn, gati ta përgatisë ofertën zyrtare
Tuchel dëshiron që sa më shpejt ta kompletojë skuadrën para fillimit të sezonit të ri. Interesimi për t'u përforcuar me Koulibalyn po dëshmohet konkret.
Pas largimit të Rudiger drejt Real Madridit, Chelsea ka nguti për ta gjetur zëvendësuesin e duhur, në mënyrë që të mos lejojë boshllëqe tjera në atë repart të ndjeshëm të fushës.
Fillimisht u raportua se klubi londinez dëshironte ta transferonte De Ligt, por në ditët e fundit lojtari ka arritur marrëveshje personale me Bayern Munchen. Një zhvillim i tillë ka bërë që Chelsea të vështrojë gjetiu për ta gjetur mbrojtësin e duhur të cilin dëshiron ta sjellë në "Stamford Bridge".
Drejtuesit e klubit londinez e kanë identifikuar Koulibalyn si qendërmbrojtësin adekuat për ta udhëhequr mbrojtjen, duke qenë shtyllë e saj. Mbrojtësi senegal me përvojë, në tetë vitet e fundit ka dëshmuar një rritje konstante të formës, gjë që ka bërë të llogaritet si njëri ndër qendërmbrojtësit më të mirë në qarkullim.
Së fundi, Sky Sport Italia përmes ekspertit të transferimit të lojtarëve, Gianluca Di Marzio, njofton se Chelsea njëmend po bëhet gati që t'ia prezantojë Napolit një ofertë zyrtare për Koulibalyn gjatë ditëve në vijim.
Zyrtarët e Chelseat janë takuar me agjentin e lojtarit, Fatih Ramadani, në njërin prej lokaleve të punës në Londër. Tani adresimi i ofertës së parë zyrtare është vetëm çështje kohe.
Oferta e Chelseat mendohet se do të jetë rreth 40 milionë euro, meqë kontrata e mbrojtësit senegalez skadon gjatë vitit të ardhshëm.
Drejtori i Napolit gjatë ditës së shtunë bëri të qartë që klubi i ka bërë ofertë zyrtare Koulibalyt për të qëndruar pjesë e organikës së tyre, duke e lënë të mundur edhe një karrierë si drejtues i klubit, por lojtari ka kërkuar që t'i jepet kohë për të menduar, para se ta japë një përgjigje definitive.
Chelsea po bën përpjekje që paralelisht ta angazhojë edhe një tjetër qendërmbrojtës. Për momentin janë në negociata të avancuara me Manchester Cityn, duke bërë çmos që ta kenë në radhët e tyre mbrojtësin Ake.


