Drejtori i Napolit: Për neve Koulibaly është i pashitshëm, nuk kemi pranuar oferta zyrtare nga ndonjë klub tjetër
E ardhmja e qendërmbrojtësit 31-vjeç senegalez, Kalidou Koulibaly, ka ngjallur mjaft diskutime. Për Napolin ai mbetet i pashitshëm.
Koulibaly ka dëshmuar shumë respekt për Napolin. Ai është pjesë e skuadrës italiane që tetë vjet. Nga Genk u transferua te Napoli për 8 milionë euro. Gjatë tetë sezoneve të kaluara me Napolin, ai ka dëshmuar shkallë të lart profesionalizmi, si dhe përmirësim eksponencial, duke u bërë si shtyllë e mbrojtjes.
Në vitin e fundit, Koulibaly e krijoi tandemin e qendërmbrojtjes së bashku me kapitenin e Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani. Mirëpo, çështja e kontratës, skadimi i të cilës po afron, po i qëndron gjithmonë e më shumë si saç mbi kokë, duke e bërë edhe më të paqartë të ardhmen e tij.
Për drejtorin e Napolit, Cristiano Giuntoli, ai mbetet i pashitshëm dhe deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ofertë. Në konferencën e parë për shtyp të organizuar nga Napoli në kuadër të nisjes së fazës përgatitore para fillimit të edicionit të ri, Giuntoli është deklaruar rreth situatës me Koulibalyn.
"Presidenti i klubit, De Laurentis, ia ka bërë një ofertë të parezistueshme: 6 milionë euro neto për pesë vjet, që nënkuptojnë 60 milionë euro bruto. Në ofertë është e përfshirë edhe e ardhmja si drejtues i klubit, sepse e ka treguar veten si njeri të madh brenda dhe jashtë fushës.
"Neve na është përgjigjur se i duhet kohë për të menduar dhe se duhet të shoh përreth. Ka marrë paksa kohë për të menduar", shtoi ai.
Në pyetjen që ia parashtruan gazetarët në lidhje me atë nëse ekziston një "veto" ndaj Juventusit, ai u shpreh:
"Nuk ka nevojë për veto. Për neve është i pashitshëm".
Para disa ditësh është raportuar në mediet italiane se agjenti i mbrojtësit është parë duke darkuar me drejtuesit e Juventus. "Zonja e vjetër" është duke e negociuar shitjen e De Ligt drejt Bayernit dhe zëvendësuesin ideal e sheh te Koulibaly. Raportet mes dy tifozërive dhe klubeve, atyre të Napolit dhe Juventusit, ndoshta janë më armiqësoret për momentin në Itali. Prandaj, edhe një largim i Koulibalyt drejt Juventusit duket shumë i ndërlikuar në situatën kur ai ka edhe një vit kontratë dhe e ardhmja e tij varet edhe nga vullneti i klubit që e posedon kartonin e tij: Napoli.

