BILD: Mane e ka grushtuar Sanen pas përfundimit të ndeshjes
Ylli senegalez, Sadio Mane, e ka goditur me grusht shokun e tij të skuadrës, Leroy Sane, pas ndeshjes ku Bayern Munich u mposhtë nga Manchester City me rezultat 3:0, siç raportohet nga BILD.
Ata ishin parë duke u grindur në fushë gjatë humbjes 3:0 ndaj ‘Qytetarëve’ në ndeshjen e parë të çerekfinales së Ligës së Kampionëve. Kjo situatë u përshkallëzua më tej, sipas BILD. Bayern Munich thuhet se ka ndarë Mane dhe Sane pas përleshjes fizike, e cila erdhi nga zhgënjimi i Manes për mënyrën se si ishte folur me të gjatë lojës.
Bayern Munich ende nuk ka komentuar mbi incidentin e raportuar.
Shkaku i mosmarrëveshjes thuhet se ishte skena në minutën e 83-të kur Sane iu ankua Manes për një tentativë vrapimi pas mbrojtjes kundërshtare. Sane donte që lojtari senegalez t'i vinte më shpejtë në ndihmë dhe me zemërim i reagoi ashpër.

Ky ka qenë një sezon jashtëzakonisht dramatik për Bayern Munich. Kohët e fundit ata shkarkuan Julian Nagelsmann mes raporteve për pakënaqësi në dhomën e zhveshjes, duke e zëvendësuar atë me Thomas Tuchel, por kanë dështuar të tregojnë vazhdueshmërinë në rezultate, për standardet që kanë krijuar si skuadër.
Mane mund të përballet me dënim nga klubi për veprimet e tij, ndërsa Sane thuhet se ka një shenjë në fytyrën e tij nga goditja. Bayern Munich ndeshjen e radhës e zhvillon kundër Hoffenheim në Bundesligë, para se të presë Manchester Cityn në ndeshjen e kthimit në mesjavë.

