Bayern Munich me ‘plan’ të veçantë për Mbappen, Muller thotë se francezi nuk do të argëtohet në fushë
Ylli i Bayern Munichut, Thomas Muller, ka lëshuar një paralajmërim për sulmuesin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, para ndeshjes së kthimit të së 1/8 së finales që zhvillohet nesër. Ai tha se nëse plani i tyre është efektiv, ai nuk do të mund të argëtohet nesër në fushë.
Kampioni francez udhëton drejt Gjermanisë të mërkurën duke kërkuar për të përmbysur rezultatin 1:0 nga ndeshja e parë, në të cilën Mbappe, i sapo rikuperuar nga një lëndim, shkaktoi jo pak probleme me inkuadrimin e tij nga stoli, por pa dy golat e tij në pjesën e dytë të anuluara për pozicion jashtë loje.
Përpara sfidës së madhe, Muller zbuloi se francezi "nuk do të argëtohet" nëse plani i tyre taktik zbatohet siç duhet.

“Kylian, sipas profilit të tij, logjikisht përfaqëson një rrezik gjithmonë”, u tha gjermani gazetarëve përpara ndeshjes. "Ai është lojtari që shënon më së shumti për PSG-në. Ne duhet të mendojmë se si ta ndalojmë atë, por ky është një sport ekipor. Nuk është çështja të ndalojmë një lojtar. Ne duhet t'i zvogëlojmë hapësirën e tij në qendër dhe ne jemi mjaft të guximshëm për të shkuar një me një me të. Nëse ai kalon një lojtar, do të ketë një tjetër pas. E gjithë bota pëlqen ta shikojë atë duke luajtur futboll, por nesër ne nuk do të duam ta shikojmë atë. Nëse plani ynë është efektiv, ai nuk do të argëtohet”.

Që nga ndeshja e parë në Paris, Mbappe ka qenë në formë të mirë për skuadrën kryeqytetase, duke shënuar pesë gola dhe një asistim në tre ndeshje, ndërsa PSG tani ka tetë pikë larg vendit të dytë në Ligue 1. Bayern, ndërkohë, mban vendin e parë në Bundesligë me diferencën e golave ndaj Borussia Dortmundit, por do të ketë një favor nga mungesa e Neymar, sezoni i të cilit ka përfunduar, pasi i duhet një operacion në kyçin e këmbës për një dëmtim të pësuar në mes të shkurtit.

Ylli francez në anën tjetër ka një statistikë interesante ndaj skuadrës gjermane: Në gjashtë ndeshje të Ligës së Kampionëve me Bayernin, Mbappe ka shënuar tre gola dhe një asistim, por ka humbur katër nga to (duke fituar vetëm dy herë).

