Kingslay Coman bën heroin, Bayern Munich fiton derbin ndaj PSG-së,
Bayern Munich ka triumfuar në përballjen e parë ndaj PSG-së (0:1), në kuadër të raundit të 16-të në Ligën e Kampionëve.
Gjiganti gjerman ndoshta me plot meritë fitoi përballjen duke dominuar nga fillimi, me epilogun përfundimtar doli të jetë 0:1.
Bayern ishte shumë më e mirë në pjesën e parë duke rrezikuar përmes Choupo-Moting, Kingsley Coman dhe Joshua Kimmich, mirëpo goditjet e tyre arriti t'i ndalë Donnarumma.
Ishte francezi Coman që me një goditje vollej i dha epërsinë Bayernit pasi u asistua për mrekulli nga Alphonso Davies (53').
Bayern vazhdoi të dominojë duke pasur edhe disa raste të shkëlqyeshme përmes Choupo-Moting dhe Benjamin Pavard, por goditjet e tyre sërish përfunduan jashtë rrjetës.
Me inkuadrimin e Kylian Mbappe, PSG nisi të sulmojë dhe dominoi plotësisht në fundin e ndeshjes. Në fakt, francezi shënoi pas një topi të kthyer nga gjuajtja e Neymar, por që u anulua për pozitë jashtë loje.
Zhvillohej minuta e 82-të, kur Nuno Mendes asistoi për Mbappen dhe ky i fundit e dërgoi në rrjetë, por prapë u anulua për pozitë jashtë loje.
Vlen të ceket edhe rasti i humbur i Lionel Messit, me argjentinasin që kishte një goditje të mirë por që u devijua në fund.
Në fund, Bayern Munich mbeti me 10 lojtarë pasi Benjamin Pavard u ndëshkua direkt me të kuq pas një ndërhyrje të rëndë te Lionel Messi.
Kështu, Bayern Munich është në epërsinë e një goli me përballjen e dytë që zhvillohet pas dy javëve në "Allianz Arena".