Barçës i hiqet një barrë, Pjanic transferohet në Sharjah
Miralem Pjanic nuk është më futbollist i Barcelonës. Mesfushori boshnjak ka nënshkruar kontratë të re me klubin Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në moshë 32-vjeçe mesfushori Pjanic ka vendosur që të largohet nga kontinenti evropian, pasi është tunduar nga ofertat që i vinin nga vendet nga lindja.
Nënshkrimi me Sharjah u zyrtarizua gjatë pasditës së sotme të vonë. Deri te ky moment erdhi edhe si rrjedhojë e një forme çdoherë e në rënie të lirë që kishte Pjanic.
Kalimi nga Juventus te Barcelona u pa me pompozitet, por ai nuk ia doli asnjëherë që të linte gjurmë ashtu siç pritej.
Kapitulli i ri te Sharjah
Klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sharjah, ka konfirmuar se ka angazhuar Miralem Pjanicin në radhët e veta.
Sharjah i ka propozuar atij një kontratë dy-vjeçare, me mundësi të vazhdimit të mëtejm, varësisht nga niveli i paraqitjeve që do të tregojë ai.
“Ylli Pjanic do t’i bashkohet Kështjelles së Mbretit. E presim me kënaqësi afrimin e lojtarit të Kombëtares së Bosnjës, Miralem Pjanic (32-vjeç) te skuadra jonë nga Barcelona, me parametra zero, ku ka nënshkruar kontratë dy-vjeçare me mundësi të vazhdimit të mëtejm”, thuhet një njoftimin e klubit.
Pjanic do të mund që të luajë me fanellën e re brenda pak ditësh. Kampionati atje ka filluar tek tani, kur është luajtur java e parë e edicionit të ri.
Tifozët e Barçës në një mënyrë i janë gëzuar këtij lajmi, pasi paga vjetore që kishte lojtari boshnjak ishte e lartë. Sipas burimeve të përditshmes “El Mundo Deportivo”, kjo nënkupton se tani klubi katalonas do të mund ta rinovojë kontratën e mesfushorit të ri, Gavi.
Kontrata e këtij të fundit ndërlidhej me tavanin e pagave vjetore që ia kishte vendosur vetes Barcelona. Largimi i Pjanic shërben si një infuzion i mirë në këtë drejtim.

