Barcelona ndalet nga Espanyoli, katalonasit të indinjuar me gjyqtarin pas penalltisë së çuditshme që akordoi (VIDEO) - NACIONALE

Barcelona ndalet nga Espanyoli, katalonasit të indinjuar me gjyqtarin pas penalltisë së çuditshme që akordoi (VIDEO)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Barcelona ka ndarë pikët me Espanyol pas një barazimi 1:1. Ndeshja ishte shumë e tensionuar, ku nuk munguan edhe dy kartonë të kuq, nga një për secilën skuadër. Penalltia që iu dha Espanyolit nxiti shumë debat.

Një ditë jo e mirë për skuadrën e drejtuar nga Xavi. Sado që barazimi i sotëm nuk e largon atë nga pozita e parë, por mund të thuhet se ia mundëson Realit që ta barazojë me pikë të njëjta.

Qartësisht ndeshja u mbizotërua nga Barcelona. Goli i epërsisë erdhi shumë shpejt. Që në minutën e 7-të ishte Marco Alonso ai që shënoi me kokë, pas një prekje po ashtu me kokë nga Christensen.

Katalonasit vazhduan me të gjitha forcat që të sulmonin. Espanyoli ia doli që të mbahej disi, duke mos lejuar që të shënohej një gol i dytë gjatë pjesë së parë.

Në pjesën e dytë vijuan sulmet e Barcelonës, por sërish mungonte konkretizimi. Ligji i pashkruar i futbollit se kur nuk finalizon rastet të pret pësimi i golit u evidentua sërish.

Në minutën e 72-të gjyqtari i ndeshjes akordoi penallti për Espanyolin pas një shtyrje të aluduar nga Alonso. Nga pamjet kontakti u duk minimal, për të mos thënë inekzistent. Sidoqoftë, gjyqtari kontrovers Lahoz nuk ndryshoi mendim.

Kështu në minutën e 73-të Joselu u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke rikthyer rezultatin në baraspeshë.

Barcelona ishte tejet e rebeluar për vendimin në fjalë të gjyqtarit dhe u përpoq që ta rikthente epërsinë sa më parë që ishte e mundur, përmes një ofansive që ndërmori.

Në minutën e 78-të Lahoz sërish u bë protagonist. Gjyqtari spanjoll ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë Alaban, duke e përjashtuar kështu atë nga loja.

Të njëjtën gjë e bëri edhe dy minuta më vonë, vetëm se kësaj radhe ndaj një futbollisti të Espanyolit, gjegjësisht Souza. Ai falë kartonin të dytë të verdhë që pranoi doli nga fusha dhe ndeshja u rikthye në një tjetër baraspeshë, atë të futbollistëve në fushë.

Deri në përfundim të ndeshjes Barcelona kishte disa orvatje serioze drejt portës. Espanyoli ia doli që ta ruante barazimin, duke ia shkaktuar kështu rivalit fqinj një hap fals të dhimbshëm.

Me këtë barazim Barcelona mbyll vitin në pozitën e parë me 38 pikë të arkëtuara, po aq sa ka edhe Reali. Ndërkaq Espanyoli zë vendin e 15-të me 13 pikë të tubuara.

Përmbledhja e ndeshjes Barcelona - Espanyol:

Lajme të ngjashme