Barcelona me shumë vështirësi e mposht Shakhtar Donetskun, Feyenoordi e ‘shkatërron’ Lazion
Barcelona ka shënuar fitore me shumë vështirësi ndaj Shakhtar Donetskut 2:1, duke vazhduar kryesimin në grup me të gjitha fitore deri më tani, ndërsa në anën tjetër Feyenoord fitoi më lehtë se sa që pritej ndaj Lazios, me rezultat 3:1.
Barcelona –Shakhtar Donetsk
Barcelona e filloi shumë mirë pjesën e parë të takimit, ku krijonin vazhdimisht rezultate dhe rrezik për portën e skuadrës ukrainase.
Sulmet e intensifikuara sollën golat e katalunasve, që të dyja që u shënuan në pjesën e parë të takimit.
Fillimisht ishte Ferran Torres që çoi skuadrën e Xavi Hernandezit në epërsi 1:0, kur shënoi në minutën e 28–të.
Tetë minuta më vonë, i riu i talentuar, Fermin Lopez dyfishoi rezultatin në 2:0, i asistuar nga realizatori i golit të parë.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit, ndërsa në 45 minutat e dyta shfaqja e Barcelonës ishte më e zbehtë.
Shumë pak raste, teksa u vu në vështirësi në disa raste deri në fund.
Mysafirët me presionin e vazhdueshëm që bënin arritën të ngushtojnë rezultatin, kur me anë të Sudakov gjetën golin për 2:1 në minutën e 62–të.
Deri në fund nuk pati ndryshime në rezultat dhe Barcelona vazhdon të mbetet e pamposhtur në grupin e saj, me tri fitore në po aq ndeshje.
Feyenoord – Lazio
Feyenoord nuk ka treguar fare mëshirë për Lazion, duke e mposhtur 3:1 dhe për të marrë kryesimin e grupit, ndonëse kjo mund të jetë vetëm përkohësisht.
Santiago Gimenez ishte në formë të mirë, ku shënoi dy gola.
Fillimisht për 1:0 shënoi në minutën e 31–të, ndërsa Zerrouki e dyfishoi epërsinë deri në fund të pjesës së parë.
Gimenez shënoi për 3:0 në minutën e 74–të, ndërsa krejt çfarë Lazio bëri në këtë takim ishte goli i Pedros nga penalltia në minutën e 83–të, për rezultatin përfundimtar 3:1.
Feyenoord ka gjashtë pikë në krye të grupit, ndërsa Lazio në vendin e tretë me katër, aq sa ka edhe Atletico Madrid që do ta zhvillojë ndeshjen e sotme me vendin e fundit Celtic dhe me fitore mund ta marrë kreun e tabelës.