Barcelona do të detyrohet t'ia paguajë milionat Bayern Munichut sapo Lewandowski të shënojë dy golat e radhës
Dy golat e radhës të sulmuesit Robert Lewandowskit do të kushtojnë 1.25 milionë euro, pavarësisht që klubi nuk kishte financa për të nënshkruar me një futbollist në formë huazimi gjatë afatit dimëror.
Katalunasit janë duke pasur vështirësi vazhdimisht në anën ekonomike, derisa të martën dështuan në huazimin e Julian Alvarez nga La Galaxy për vetëm 20 sekonda, pasi dokumentet nuk u nënshkruan me kohë.
Sidoqoftë, duket se këto para Barcelona do të detyrohet t'i paguajë tjetër kund. Është fjala te skuadra gjermane, Bayern Munich dhe atë sapo Lewandowski të shënojë dy golat e radhës.
Polaku ka qenë kyç te katalunasit këtë edicion duke shënuar 14 gola në 16 paraqitje në La Liga, derisa 23 në të gjitha garat dhe sipas "Mundo Deportivo", blaugranasit i detyrohen Bayernit 1.25 milionë euro sapo të arrijë shifrën e 25 golave këtë edicion, gjë që duhet ta paguajnë çdo sezon kur qendërsulmuesi e mbërrin këtë numër.
Lewandowski shënoi golin e 23-të për Barcelonën të mërkurën kundër Real Betisit, ku me atë fitore ata "blinduan" pozitën e parë duke pasur tetë pikë më shumë se Real Madridi.
Kjo njëkohësisht ishte ndeshja e parë e lojtarit pas suspendimit prej tre ndeshjeve shkaku i një kartoni të kuq.
Barcelona në xhiron e radhës do ta zhvillojë përballjen e vështirë kundër Sevillas.