Ballkani shënon fitore të madhe në udhëtim te Drita, tani dy skuadrat me pikë të barabarta në krye të renditjes - NACIONALE

Ballkani shënon fitore të madhe në udhëtim te Drita, tani dy skuadrat me pikë të barabarta në krye të renditjes

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Derbi i javës së 33-të në Superligën e Kosovës ndërmjet dy vendeve të para, Dritës dhe Ballkanit, ka përfunduar me fitore të mysafirëve 2:1. Edhe pse kampioni në fuqi triumfoi, gjilanasit mbetën në pozitën e parë, pasi me pikët e barabarta, ata kanë avantazhin nga ndeshjet e ndërsjella dhe diferenca e golave.

Intelektualët në krye me trajnerin e ri, Vavalis, nuk kishin humbur pikë deri në këtë ndeshje, duke shënuar dy fitore, teksa për Xhebrailat nuk ka pasur rezultate aq pozitive, pasi kanë barazuar në dy ndeshje radhazi.

Sa i përket ndeshjes, Ballkani u tregua më kërkuese në pjesën e parë të takimit, duke pasur më shumë raste shënimi, teksa pjesa e dytë ishte më monotone, me shumë pak rrjedhshmëri në lojë.

Goli i parë i takimit u shënua mjaft herët. Zhvillohej minuta e 11-të kur Nazmi Gripshi asistoi shumë bukur për Meriton Korenicën, i cili realizoi gol pa problem për 1:0.

Korenica pati rastin për ta dyfishuar rezultatin në minutën e 24-të, por pasi pranoi një top nga Albion Rrahmani, ai dështoi të shënonte nga afërsia.

Kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit, Drita e dënoi Ballkanin në pothuajse rastin e vetëm gjatë kësaj pjese, kur Muharrem Jashari shënoi për të barazuar 1:1.

Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol. Ballkani shënoi golin e fitores në rastin e vetëm në këtë pjesë, kur Lumbardh Dellova u tregua më i zhdërvjellëti në zonë, për të shënuar me kokë për 2:1.

Ballkani edhe pse fitoi në këtë takim, ata sërish mbetën në vendin e dytë, me pikë të barabarta me liderin Dritën, por gjilanasit nëse fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura shpallen kampion në sezonin e sivjetshëm.

Lajme të ngjashme