Ballkani – Ludogorets: Analizë, statistikë dhe vlerat e dy skuadrave - NACIONALE

Ballkani – Ludogorets: Analizë, statistikë dhe vlerat e dy skuadrave

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kampioni i Kosovës, Ballkani, sot do ta luajë ndeshjen e parë të rrethit kualifikues për Ligën e Kampionëve ndaj Ludogorets në stadium Fadil Vokrri.

‘Xhebrailat’ pasi bënë historinë, duke u kualifikuar në tentimin e parë në një garë evropiane sezonin e kaluar, si ajo e Ligës së Konferencës, këtë sezon ata do të tentojnë të shkojnë më tutje.

Sot në stadiumin Fadil Vokrri me fillim nga ora 20:45 Ballkani përballet me kampionin e Bullgarisë, Ludogorets, skuadër kjo që është favorite në letër.

Fillimisht e nisim me vlerat e dy skuadrave. Bazuar në të dhënat e publikuara në ‘Transfermarkt’, mysafirët janë skuadra bindshëm më e vlefshme, pasi vlerësohen 40,35 milionë euro, përkundër Ballkanit që vlerën e ka 4,68 milionë euro.

Lojtari më i vlefshëm te bullgarët është anësori i djathtë, Bernard Tekpetey, i cili ka vlerën 5 milionë euro, teksa Kiril Despodov vjen menjëherë pas tij me vlerësim prej 4,5 milionë euro e kapiteni i parë i skuadrës Anton Nedyalkov vlerësohet me 3 milionë euro por ai nuk do të paraqitet sot për shkak të një lëndimi.

Kurse te Ballkani lojtari më i vlerësuar është sulmuesi Albion Rrahmani, që tani vlera i ka shkuar në 600 mijë euro, i ndjekur nga Lindon Emërllahu me 550 mijë euro e Lumbardh Dellova me 450 mijë euro, teksa ka shumë lojtarë me shifra të përafërta me njëri tjetrin.

Te skuadra kampione e Kosovës pritet të mungojë vetëm Almir Kryeziu, për të cilin trajneri Ilir Daja në konferencë për shtyp tregoi se është i lënduar, ndërsa te Ludogorets përveç kapitenit, pritet të mungojë edhe Denny Gropper e Dinis Almeida.

Mënyra e lojës: Ludogorets me lojë ofensive dhe nuk ndryshon në skema gjatë ndeshjes

Trajneri i Ludogorets, Petev Bogdanov, preferon lojë ofensive me një formacion të cilin e praktikon pothuajse gjithnjë, pra 4-2-3-1.

E veçanta e kësaj skuadre është se ata që nga futja në elitën bullgare në vitin 2011 kanë dominuar në elitën e Bullgarisë, duke u shpallur 12 herë kampion radhazi, bindshëm skuadra më e mirë atje.

Në anën tjetër, Ilir Daja te Ballkani, njihet si trajner që ndryshon formacione në bazë të lojës. Ai e preferon formacionin 4-3-2-1, por në garat evropiane e kemi parë të luajë edhe me 4-3-3, por gjithsesi suharekasit kanë treguar se nuk i frikësohen asnjë kundërshtari, kushdo qoftë dhe këta e tha edhe dje Daja, ku e ripotencoi se nuk do të parkojnë autobusin ndaj asnjë skuadre.

Lajme të ngjashme