Armend Thaqi: Nëse për ne nuk ka ndeshje të lehta, as për kundërshtarët nuk do të ketë - NACIONALE

Armend Thaqi: Nëse për ne nuk ka ndeshje të lehta, as për kundërshtarët nuk do të ketë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një nga futbollistët më të mirë në Superligën e Kosovës, Armend Thaqi, pjesë e kampionit të Kosovës Ballkanit, në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë kualifikuese në kuadër të Ligës së Kampionëve, ka thënë se nuk do të ketë ndeshje të lehta as për kundërshtarët e tyre.

Thaqi thotë se ky vit do të jetë më i vështirë për skuadrën e Ballkanit, pasi nëse në vitin e kaluar skuadrat e tjera kanë pasur shumë pak njohuri rreth tyre, tani pas arritjes historike kundërshtarët janë njoftuar më mirë me suharekasit.

“Pas vitit të kaluar që shkruam historinë, ky vit do të jetë më i vështirë sepse sezonin e kaluar na kanë njohur më pak, e këtë vit na shohin me sy tjetër për shkak të suksesit historik që arritëm sezonin e kaluar. Do të jetë e vështirë me përsërit suksesin e vitit kaluar. Kemi kundërshtar të fortë. Jemi në garën më të fortë evropiane dhe shpresojmë të kemi fat nesër.”

Tutje kapiteni i dytë i Ballkanit thotë se do të mundohen që as kundërshtarët e tyre mos të kenë ndeshje të lehtë, siç thotë se as skuadra kampione e Kosovës nuk do të ketë ndeshje të tilla.

“Siç e thashë, jemi në garën më të fortë, nuk ka ndeshje të lehta. Nëse për neve nuk ka ndeshje të lehta, as për kundërshtarët nuk do të ketë. Jemi përballur me këso skuadra të forta dhe besoj që edhe nesër do të bëjmë paraqitje të mirë. Ludogorets është skuadër e fortë, 12-herë kampion radhazi, por ne do të mundohemi ta bëjmë ndeshjen tonë. Shpresojmë që ndeshjet ndaj Zalgiris në sezonin e kaluar dhe gabimet që kemi bërë, ta na kenë dhënë një mësim të mirë, për t’i mos i përsëritur të njëjtat.”

Për fund, Thaqi tha se ndonëse nuk kanë mundur të pushojnë mjaftueshëm, ai dhe shokët e tij po jetësojnë ëndrrën dhe për këtë sipas tij ia vlen të sakrifikohet.

“I sakrifikojmë ditët e pushimit me dëshirë kur e dimë që do të luajmë në Evropë. Kur e kemi zgjedhur futbollin si rrugë të jetës e kemi ditur se kjo do të na presë dhe se do të pushojmë shumë pak, por siç e thashë këtë e bëjmë me dëshirën më të madhe.”

Lajme të ngjashme