Ilir Daja: Në garat evropiane përfaqësojmë futbollin kosovar dhe jo vetëm Ballkanin
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve ndaj Ludogoretz, ka thënë se skuadra e tij në këtë kualifikime do ta përfaqësojë futbollin kosovar dhe jo vetëm Ballkanin si skuadër.
Daja thotë se është në dijeni të vështirësisë së kësaj ndeshje, por se do të tentojnë të paraqiten në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Përfaqësojmë jo vetëm Ballkanin por futbollin e Kosovës. Ndeshje e vështirë por me grupin kemi stërvitur anën taktike shumë mirë për një muaj e gjysmë dhe do të provojmë shanset tona.”
i pyetur për mënyrën e lojës së Ballkanit se a do të ndryshojë ndonjë gjë nga sezoni i kaluar ku u arrit suksesi historik, trajneri shqiptar tha se loja do të jetë e njëjtë dhe në asnjë ndeshje nuk do të parkojnë autobusin.
“Mendoj qe do luajmë njëjtën loje me njëjtën strategji. Kemi fleksibël në dy fazat e lojës. Kemi disa mënyra për t’u përballur me kundërshtarin. Ekipi është i orientuar drejt respektit të kundërshtarit por e dimë që kemi kualitete. Kemi të njëjtën 11-she përveç Krasniqit që po shkëlqen atje ku ka shkuar. Ne nuk do të parkojmë autobusin në asnjë ndeshje që shkojmë, do të luajmë lojën tonë.”
Tutje Daja thotë se lojtarët që kanë më shumë vite në skuadër dhe që janë më me përvojë do të jenë bartës të ndeshjes, por që shpreson edhe në ndihmën e ardhjeve të reja, ndonëse nuk kanë pasur kohën e duhur për t’u përshtatur me skuadrën.
“Lojtarët me përvojë dhe që kanë një kohë në skuadër do të jenë promotor të ndeshjes, ndërsa ata që kanë ardhur edhe pse nuk kanë pasur kohën e duhur mendoj se do ta në ndihmojnë, për të arritur rezultatet që kërkojmë.”
Trajneri që doli dy herë kampion i Kosovës në dy vite radhazi thotë se skuadra e tij ka bërë merkaton më të mirë këtë vit, duke shtuar lojtarë në moshë të re, teksa shkurt e falënderoi edhe Stivi Frashërin e larguar nga skuadra.
“Ekipi evoluon, si në hyrje dhe në dalje. Jemi munduar ta ruajmë grupin që kemi pasur. Kjo është merkatoja më e mirë që kemi bërë. Kemi bërë përforcime me lojtar të rinj, përveç Limajt. Kemi bërë këtë lloj politike për të rritur rivalitetin. Kjo edhe për shkak se ata kanë për çfarë të japin dhe janë më të freskët. Sa i përket Frashërit, gjej rastin ta falënderoj për atë se çfarë ka dhënë për skuadrën, ndërsa tani në skuadër kemi një nga portierët më të mirë në vitet e fundit në Superligën e Kosovës dhe shpresoj ta vazhdojë aty ku e ka lënë Frashëri.”
Sa i përket disponueshmërisë së skuadrës për ndeshjen e nesërme, Daja thotë se përveç Almir Kryeziut që është në dyshime, të tjerët lojtarë të ftuar do të jenë të gatshëm për dy sfidat e radhës.
“Përveç Kryeziut të gjithë të tjerët do të jenë të gatshëm. Almiri është në pikëpyetje për shkak të një dëmtimi. Të ftuarit e tjerë janë të gatshëm, përfshirë edhe njëri nga futbollistët që në ditët e kaluara ka pasur probleme, por sot është paraqitur me sukses. Normalisht pra nëse nuk ndodhë ndonjë lëndim në stërvitjet e radhës.”
