Arsim Thaqi për shkarkimin befasues nga Malisheva: E pashë në Facebook, por unë kam kontratë - NACIONALE

Arsim Thaqi për shkarkimin befasues nga Malisheva: E pashë në Facebook, por unë kam kontratë

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Arsim Thaqi e ka quajtur joprofesional mënyrën sesi Malisheva njoftoi në Facebook për shkarkimin e tij nga detyra e trajnerit, duke thënë se u bë në mënyrë të njëanshme dhe pa biseduar me të paraprakisht, pavarësisht se ai ka edhe një vit kontratë me klubin.

Malisheva njoftoi në Facebookun zyrtar të klubit se e ka shkarkuar Thaqin pas disfatës 4:2 kundër Prishtinës të mërkurën, duke u thirrur mbi, siç e quajti, një fillim zhgënjyes të sezonit 2022/23 në Superligë.

Thaqi tha për Gazetën Nacionale se u njoftua nga një anëtar i bordit të klubit për pakënaqësitë e klubit me rezultatet, pak para se të bëhej njoftimi për shkarkimin e tij në rrjetin social të klubit.

“Një anëtar i bordit më tha që presidenti ka thënë se nuk ki rezultate as suksese. Derisa unë nuk kam marrë një vendim nga klubi direkt, Facebooku i klubit herë është zyrtar e herë jo, unë duhet të marrë vendim me shkrim për shkarkimin sepse kam kontratë me klubin”, tha Thaqi.

51-vjeçari, i cili ka marrëveshje me Malishevën deri në qershor të vitit 2023, thotë se presidenti i klubit Driton Morina nuk ka biseduar me të këtë sezon për gjërat dhe telashet në klub.

“Presidenti i klubit duhet të ulet të flasë me trajnerin. Ai mund të më shkarkojë njëanshëm por ka detyrime financiare ndaj meje pastaj. Presidenti nuk është ulur me mua për të biseduar për telashet këtë sezon, përveç një herë pas lojës me Gjilanin.”

Thaqi e udhëhoqi Malishevën drejt promovimit historik të klubit në elitën e futbollit kosovar sezonin e kaluar dhe ia doli ta mbajë atë në Superligë në sezonin debutues.

Por jo gjithçka ka shkuar mirë prapa skenës te Malisheva këtë vit, pasi klubi ka dështuar t'i paguajë stafin e trajnerëve dhe futbollistët disa muaj këtë sezon, një telash financiar me të cilin përballen shumë klube kosovare tani.

“Klubet tona duhet të mësohen të jenë profesionale. Nëse ato na i ofrojnë kushtet dhe mundësitë, lojtarët, atëherë si trajner mund të kesh synime. Ne te Malisheva jemi t’u u përballë me infrastrukturë të dobët, ku shumica e lojtarëve kanë telashe me muskuj për shkak të kushteve të këqija stërvitore dhe stadiumit”, nënvizoi Thaqi për Nacionale.

Malisheva nuk e ka nisur edhe keq sezonin e dytë radhazi në Superligë, pasi renditet në mesin e tabelës me shtatë pikë, pas dy fitoreve, një barazimi dhe një humbjeje.

Shkarkimi i Thaqit vjen në prag të ndeshjes me lideren e Superligës, Drita, në fundjavë.

Lajme të ngjashme