Arsenali vazhdon me paraqitje prej kampioni, e mposhtë lehtësisht Leeds Unitedin - NACIONALE

Arsenali vazhdon me paraqitje prej kampioni, e mposhtë lehtësisht Leeds Unitedin

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Aty ku e la, Arsenali e rinisi. Ndeshjet ndërkombëtare nuk kanë ndikuar farë në paraqitjen e topçinjve, që në ndeshjen ndaj Leeds United treguan edhe një herë që jo befasisht gjenden aty ku janë me një fitore 3:1 në Emirates Stadium, kështu duke vazhduar mbretërimin në Premierligë me tetë pikë më shumë se Manchester City.

Me këtë fitore shkon diferenca në tetë pikë ndaj kampionit në fuqi, por ‘Qytetarët’ kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Topçinjtë edhe kësaj radhe ishin thjesht të pandalshëm, shtuar kësaj edhe rikthimin e Gabriel Jesus në formacionin startues që bëri ndikimin e tij të menjëhershëm me dy gola të shënuar.

Pjesa e parë nuk ishte më e mira e mundshme nga të udhëhequrit e Mikel Artetës, pasi kishin dominimin në posedim të topit, po rastet i takuan Leeds Unitedit, që fal portierit Aaron Ramsdale, porta e liderit aktual mbeti e paprekur gjatë pjesës së parë, ndërsa Arsenali shënoi nga penalltia.

Zhvillohej minuta e 33-të kur Jesus tentoi depërtimin në zonë, i cili u ndal në mënyrë të palejueshme dhe përgjegjësinë e mori vetë nga pika e bardhë për ta konkretizuar në gol për 1:0 në minutë të 35-të.

Gola të tjerë në këtë pjesë të takimit nuk pati, ndërsa u shënuan katër gola gjatë 45 minutave të dyta.

Me të nisur pjesa e dytë ishte Ben White që gjeti golin për 2:0, i asistuar nga Gabriel Martinelli.

Jesus shënoi edhe të dytin personal, kësaj radhe jo nga penalltia. Sulmuesi brazilian shënoi për 3:0 në minutën e 55-të, pas asistimit të Leandro Trossard.

Leeds United ia doli ta ngushtojë fillimisht rezultatin me anë të Kristensen në minutën e 76-të edhe me ndihmën e Zinchenkos që devijoi topin për 3:1.

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Granit Xhaka, që me një gol të bukur me kokë shënoi për 4:1, fal edhe një harkimi tejet të mirë nga kapiteni Martin Odegaard.

Kjo fitore për topçinjtë ishte e 23-ta në këtë sezon në 29 sa janë zhvilluar, krahas tre humbjeve e po aq barazimeve.

Lajme të ngjashme