Manchester City ‘shpartallon’ Liverpoolin, vazhdon ndjekjen e Arsenalit
Manchester City ka shënuar fitore të thellë ndaj Liverpoolit, sa i përket kryederbit të xhiros së 29-të në Premierligë.
Pavarësisht që ishin në disavantazh 0:1, “Qytetarët” dominuan plotësisht duke triumfuar në fund me rezultat bindës 4:1.
Pas 17 minutave lojë, Liverpool nisi një kundërzbritje të shpejtë me Mohamed Salah që shënoi nga afërsia pas një topi të kthyer nga goditja e Diogo Jotas.
Mirëpo, vetëm 10 minuta më vonë Man City nisi këndelljen duke barazuar rezultatin me anë të Julian Alavarez që shënoi nga afërsia pas një aksioni fantastik, ku u asistua nga Grealish (27’).
Man City në pjesën e dytë u tregua krejtësisht me fytyrë tjetër. Vetëm 50 sekonda pasi nisi 45-minutëshi i dytë, ishte Kevin de Bruyne që përmbysi rezultatin.
Ndërsa, shtatë minuta më vonë Ilkay Gundogan me një gol të bukur nga afërsia qetësoi tërë tifozët e pranishëm në “Etihad Stadium”.
Man City vazhdonte të sulmonte pavarësisht rezultatit komod dhe fitoren e vulosi me anë të Grealish, që u asistua nga De Bruyne dhe shënoi nga afërsia (74’).
Me këtë fitore, Man City vazhdon të renditët në pozitën e dytë në tabelë me 64 pikë të mbledhura, pesë më pak se Arsenali – derisa Liverpool renditët në vendin e gjashtë me 42 sosh.
Në xhiron e radhës, Man City do të jetë mysafir i Southamptonit derisa Liverpool pas vetëm tre ditëve do të përballet me Chelsean.