Arsenali i falet Xhakës, siguron kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Evropës - NACIONALE

Arsenali i falet Xhakës, siguron kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Evropës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Granit Xhaka përmes golit që shënoi ia mundësoi Arsenalit që ta sigurojë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Evropës, pasi mposhti 1-0 sot ekipin e PSV.

“Topçinjtë” pa shumë telashe kanë siguruar fitoren e radhës në Ligën e Evropës, duke e siguruar që tani kualifikimin në fazën e mëtejm të eliminimit direkt në Ligën e Evropës.

Arsenal mbizotëroi në fushë për gjatë shumicës së kohës, duke treguar superioritetin e tij për nga ana e cilësisë. Pa mëdyshje se një tjetër paraqitje të mirë në këtë ndeshje regjistroi edhe Granit Xhaka.

Përveç golit, ai ishte një lokomotivë për skuadrën. Arteta ndryshe prej herave tjera, kësaj radhe nuk është se aplikoi rotacionin – edhe për faktin se skuadra e tij nuk ishte e angazhuar në xhiron e mesjavës në Premierligë.

Në pjesën e parë Arsenali kishte lojë gjatë tërë kohës nën kontroll, por nuk arriti që të shfaqej mjaftueshëm i rrezikshëm para portës kundërshtare.

Në pjesën e dytë u ndërmorën një seri zëvendësimesh. Për ta vulosur çështjen e fitores dhe të kualifikimit, u përkujdes Granit Xhaka.

Mesfushori 29-vjeçar goditi bukur nga një penallti në lëvizje, duke koordinuar një gjuajtje me të djathtën e tij e cila ishte e pamundur të pritej nga portieri i PSV, duke kaluar kështu në epërsi Arsenalin me rezultat 1:0.

Ky ishte goli i tretë i shënuar nga Granit Xhaka për këtë sezon në të gjitha kompeticionet. Një rendiment tejet i përsosur ai i mesfushorit të Kombëtares së Zvicrës.

Në pjesën tjetër të ndeshjes, Arsenali me plot sukses ia doli ta menaxhojë epërsinë e krijuar, duke mos e vendosur në pikëpyetje asnjëherë fitoren.

Edhe pse në këtë ndeshje munguan rastet e mëdha për shënim, vërehej qartazi se cilësia ishte në të mirën e skuadrës angleze.

Të besuarit e Artetas me meritë në fund iu gëzuan fitores prej 1:0 ndaj PSV, e cila ia garanton arritjen e objektivit të parë: kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Evropës.

Me 12 pikë të grumbulluara në katër ndeshje, Arsenali tregoi të gjithë vlerat e veta në raport me skuadrat tjera të këtij grupi.

Njashtu, “topçinjtë” po kalojnë në një periudhë të artë në kampionat, aty ku zënë vendin e parë me një kapital prej pesë pikëve ndaj ndjekësit kryesor, Manchester Cityt.

Një ecuri e tillë ka bërë që të rriten edhe apetitet te tifozët e Arsenalit, të cilët tashmë nuk fshehin dëshirën që të shohin skuadrën e tyre në piedistal të ndonjë kompeticioni madhor, qoftë Premierligë apo Liga e Evropës.

Lajme të ngjashme