Arbnor Muja: Ndihem i privilegjuar që jam te Kosova, besoj në rezultat pozitiv në dy ndeshjet - NACIONALE

Arbnor Muja: Ndihem i privilegjuar që jam te Kosova, besoj në rezultat pozitiv në dy ndeshjet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi i Royalt Antwerpit, Arbnor Muja mendon se Kosova do t’ia dal të fitojë rezultat pozitiv në dy ndeshjet e radhës.

Anësori këmbëshpejtë ishte një nga prurjet e “Dardanëve” për ndeshjet e marsit, pas formës së lartë që kaloi këto muajt e fundit te gjiganti belg.

Për faqen zyrtare të FFK-së, Muja ka deklaruar se ndihet shumë i privilegjuar që ndodhet në praninë e yjeve të kombëtares, derisa shtoi se mund të marrin rezultat pozitiv në dy ndeshjet.

Është hera e parë që jam me ekipin kombëtar. Është një ndjenjë shumë e mirë të jem pranë këtyre lojtarëve, pranë kombëtares dhe vendit që jam rritur. Ndihem shumë i privilegjuar të jem në këtë mes”.

Është një ndjenjë të cilën kam pritur ta përjetoj edhe më herët mirëpo s’ka qenë koha e duhur, por tash mendoj se është diçka fenomenale. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe të dëshmuar edhe në ekipet e tyre, derisa bashkë me stafin e trajnerëve po përgatitemi shumë mirë për ndeshjet kundër Izraelit dhe Andorrës. Besoj në këtë grup dhe në rezultate pozitive në të dyja ndeshjet”, deklaroi ai.

Kombëtarja e Kosovës ndeshjen e parë do ta zhvillojë si mysafir i Izraelit, këtë të shtunë me fillim nga ora 18:00.

Lajme të ngjashme