Arbnor Morina jep dorëheqje nga Ferizaj - NACIONALE

Arbnor Morina jep dorëheqje nga Ferizaj

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Arbnor Morina që deri më sot ishte trajneri i Ferizajt, skuadrës që bënë gara në Superligën e Kosovës, ka dhënë dorëheqje, pasi rezultatet nuk ishin në favor të tijin dhe ai mendon se duhet të largohet sepse klubi është më i madh se çdo individ.

Njoftimi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit, pak orë pasi përfundoi ndeshja me Gjilanin, ku skuadra e Morinës nuk arriti të ruante rezultatin deri në fund për të barazuar 1:1.

Skuadra ferizajasve në 10 ndeshje të zhvilluara ka arritur vetëm një fitore, atë ndaj Llapit, kështu duke u zhytur në vendin e fundit në tabelë me tetë pikë të grumbulluara, pas edhe pesë barazimeve e katër humbjeve.

Vendimi i trajnerit Morina për të dhënë dorëheqje duket se ka ardhur pas barazimit në ndeshjen e fundit që e zhvilloi sot në Ferizaj në stadiumin me bari sintetik dhe skuadra e tij deri në minutat e fundit ishte duke fituar ndaj Gjilanit.

Arbnor Morina për dorëheqjen e tij

"Pas takimit të sotëm kundër Gjilanit, kam njoftuar kryesinë e klubit që nuk do të jem më trajner i ekipit sepse mendoj që diçka duhet të ndryshohet që ekipi të ec përpara, me idenë se klubi është më I madh se secili individ.

Periudha e kaluar në Ferizaj, është një periudhë shumë e këndshme për mua në bashkëpunim me njerëz punëtorë dhe të sinqertë, mirëpo klubi ka nevojë për një infuzion që të vazhdoj rrugëtimin aty ku e ka cakun.

Këtë vendim e kam marr pasi që prej xhiros së parë kemi qenë ekip, i cili kemi tregu futboll të mirë, kemi shënuar por nuk kemi mundur të mbajmë rezultatin.

Besoj se reflektimi im do të ia kthej FC Ferizajt ditët që i kemi kaluar në ligën e parë.

Faleminderit të gjithëve në klub për bashkëpunim dhe dëshiroj që FC Ferizaj të arrijë atje ku i ka synimet kryesia e klubit".

Presidenti i klubit ferizajas, Lulzim Abazi, e ka falënderuar Morinën për periudhën e deri tanishme dhe i ka uruar shëndet në të ardhmen.

Trajneri Morina ishte një nga më meritorët që skuadra e Ferizajt u promovua në elitën e futbollit kosovar, ku në sezonin e fundit u shpall kampion i padiskutueshëm në Ligën e Parë me 62 pikë, 16 më shumë se vendi i dytë që ishte Vushtrria.

Në një intervistë për Nacionalen, Arbnor Morina, para se të fillonte sezoni kishte thënë se është i kënaqur me lojtarët e tij dhe mënyrën se si kanë shkuar përgatitjet.

“Në përgjithësi jam i kënaqur me punën dhe angazhimin e futbollistëve ne ketë fazë përgatitore e cila aspak nuk ka qenë e lehte. Djemtë kanë treguar përkushtim të madh për punë dhe për të treguar më të mirën në lojë.”

Ai asnjëherë nuk kishte pretendime të larta, por synonte njëherë stabilizimin në Superligë dhe pastaj ta ndiqnin të ardhmen.

“Synimet janë që të stabilizohemi sa më tepër në Superligë e mandej të shohim për të ardhmen.”

Lajme të ngjashme