Intervistë me Arbnor Morinën: Përgatitjet për sezonin e ri në elitë, synimet dhe transferet
Arbnor Morina, trajner i Ferizajt, klubit të sapopromovuar në Superligë, ka folur për përgatitjet që kanë bërë për këtë sezon, synimet si skuadër si dhe transferet në një intervistë me Gazetën Nacionale.
Ferizaj u promovua në elitën e futbollit kosovar, pasi që u shpall kampion në Ligën e Parë, Grupi B, bindshëm mbi skuadrën e dytë Vushtrrinë që ishte plotë 16 pikë mbrapa.

Në një intervistë për Gazetën Nacionale, Morina tregoi se si shkoi faza përgatitore dhe se a është i kënaqur me punën e futbollistëve të tij gjatë kësaj faze.
“Në përgjithësi jam i kënaqur me punën dhe angazhimin e futbollistëve ne ketë fazë përgatitore e cila aspak nuk ka qenë e lehte. Djemtë kanë treguar përkushtim të madh për punë dhe për të treguar më të mirën në lojë.”

Teksa u pyet për synimet në sezonin e ri 2022/23, trajneri i Ferizajt tregoi se si qëllim e kanë stabilizimin në Superligë fillimisht e pastaj të mendojnë më shumë për të ardhmen.
“Synimet janë që të stabilizohemi sa më tepër në Superligë e mandej të shohim për të ardhmen.”
Trajneri Morina foli edhe për afatin kalimtar veror, duke thënë se janë koncentruar në lojtarë të qytetit, duke mos peshkuar në qytetet tjera. Ai la të kuptohet se afati kalimtar veror për ta ka përfunduar dhe vetëm në rast se ka ndonjë largim mund ta shqyrtojnë zëvendësimin.
“Kemi transferuar disa futbollistë të gjithë Ferizajas sipas sistemit të proklamuar nga klubi dhe nëse lëviz dikush me siguri do te bëjmë zëvendësimin që të kemi një konkurrencë me te madhe ne ekip.”

Në fund, ai foli për ndeshjen e parë, të cilën e zhvillon të shtunën kundër Gjilanit, duke thënë se ndeshja e parë është e paparashikueshme gjithmonë.
“Ndeshja e parë është gjithmonë e paparashikueshme, dhe është kënaqësi të luhet në Gjilan.”
Afati kalimtar veror i KF Ferizaj
Klubi i Ferizajt i cili u promovua në Superligë për këtë sezon, ka zhvilluar një afat kalimtar të ngjeshur, ashtu siç e tha edhe vet trajneri, ata janë koncentruar në lojtarët e qytetit, dhe si rrjedhojë gati të gjithë futbollistët vijnë pikërisht nga qyteti i Ferizajt.
Lojtarët që janë afruar në këtë afat kalimtar veror janë: Astrit Fazliu, Bujar Shabani, Leutrim Rexhepi, Gentrit Halili, Betim Haxhimusa, Egzon Shabani, Dardan Qerkini, Qlirim Kashtanjeva, Edon Sadriu, Donat Hasanaj dhe Gentian Eminin.

Kujtojmë se ndeshja e parë e Ferizajt zhvillohet në fundjavë, saktësisht në ditën e shtunë, ndaj skuadrës së Gjilanit si mysafire, ndeshje kjo që zhvillohet nga ora 17:00 si ndeshjet e tjera në Superligën e Kosovës.

