Ancelotti: Kapitulli te Real Madridi do ta shënojë përfundimin e karrierës sime si trajner
Carlo Ancelotti në një intervistë dhënë për të përditshmen italiane Il Messaggero, ka treguar se pas përvojës me Real Madridin do të pensionohet nga petku i trajnerit.
Ancelotti është prej trajnerëve më të suksesshëm në futboll, ku ka fituar të gjitha trofetë e mundshme. Trajneri italian duket se ka vendosur për të ardhmen e tij.
Për Il Messaggero ai ka treguar se nuk e ka ndër mend që ta vazhdojë karrierën gjetiu, por ajo të përfundojë me Real Madridin, klub në të cilin është duke punuar momentalisht.
Gjatë kësaj interviste ai ka komentuar edhe sezonin që do të nisë në Serie A nga kjo fundjavë, duke shprehur mendimet e tij rreth favoritëve në garën për titull.
Deklarata e Anceottit rreth të ardhmës së tij
Te Real Madridi e ka gjetur veten mjaft mirë Carlo Ancelotti. Me aq sa duket pikërisht kapitulli te skuadra madrilene do ta shënojë fundin e epokës së tij si trajner aktiv.
"Kjo etapë në Real Madrid do ta përmbyllë karrierën time. Pas përvojës me 'blancos', do të pensionohem nga zelli i trajnerit", komentoi ai për Il Messaggero.
Ai është shprehur se do të ishte i lumtur nëse do të mund ta vazhdonte kontratën edhe më gjatë te kampioni në fuqi i Spanjës, duke shprehur një konsideratë të lartë qoftë për klubin, ashtu edhe për drejtuesit e tij.
Opinioni i Ancelottit për garën e sivjeme në Serie A
Edhe kampionati italian do të fillojë nga kjo fundjavë. Skuadra të shumta kanë pësuar ndryshime. Favoritët mbeten Juventus dhe Inter, por edhe Milan dhe Roma vlerësohet lart. Të njëjtin mendim e ndanë edhe Ancelotti.
"Tri skuadrat e njëjta mbeten favorite për titull, por ndoshta me ekuilibre të ndryshme. Milan ka fituar një talent interesant si De Ketelaere dhe vazhon me rrugën që e ka lancuar Maldini, duke i promovuar të rinjtë. Tonali dhe Leoao kanë qenë zbulime të rëndësishme", ka shpjeguar ai.
Ancelotti ka komentuar edhe zhvillimet tek Inter dhe Juventus, duke thënë se me përforcimet që kanë bërë, me të drejtë mbajnë epitetin e skuadrave që do të luftojnë për titull.
"Inter ka një organikë të fuqishme dhe për më tepër është rikthyer Lukaku. Juve akoma është duke punuar akoma në afatin kalimtar, por qysh me afrimin e Di Marias mund të konsiderohet që është bërë një transferim inteligjent, pasi posedon kualitet dhe përvojë", theksoi ai.
Në fund, ai nuk la pa përmendur edhe ish-skuadrën e tij ku ka luajtur si futbollist, Romën, për të cilën nuk rresht së përmenduri edhe simpatinë që ka.
"Roma është përforcuar shumë. Dybala, Wijnaldum dhe Matic janë përforcime të rëndësishme. Spinazzola dhe Zaniolo i kanë lënë mbrapa lëndimet. Roma mund ta thotë fjalën e saj me këdo, edhe pse duhet pritur komponimi i lojtarëve që janë afruar rishtazi. Roma kishte nevojë për një trajner si Mourinho. Shpesh dëgjohemi dhe shkëmbejmë mesazhe", përfundoi Ancelotti.


