Real Madrid mbret i Evropës, fiton ndaj Eintracht Frankfurt dhe siguron "biletën" për Kupën e Botës për klube - NACIONALE

Real Madrid mbret i Evropës, fiton ndaj Eintracht Frankfurt dhe siguron "biletën" për Kupën e Botës për klube

1 vit më parë

nga NACIONALE

Real Madrid ka shënuar fitore ndaj Eintracht Frankfurt duke e nisur edicionin e ri me trofe, atë të Superkupës së Evropës.

"Los Blancos" ishin të jashtëzakonshëm ndaj klubit gjerman duke fituar me rezultat komod 2:0.

Fituesi i Ligës së Kampionëve zhvilloi paraqitje të shkëlqyer ndaj fituesit të Ligës së Evropës, që të fitojë trofeun e kësaj Superkupe Evropiane.

Në fakt, Eintracht Frankfurt mund të themi se e nisi më mirë duke pasur disa raste të shkëlqyeshme, sidomos me Daichi Kamada që ishte ballë për ballë Thibaut Courtois, por ky i fundit bëri dy super pritje (17').

Vetëm tre minuta më vonë, Vinicius Junior provoi të realizonte duke goditur në korner të portës, por Trapp bëri një super pritje që t'ia mohojë golin.

Ishte mbrojtësi David Alaba që hapi serinë e golave duke shënuar nga afërsia në portën e zbrazët pas një dalje të panevojshme të Trapp, ku Casemiro e gjeti për mrekulli austriakun (37').

Kështu, dy skuadrat më nuk arritën të gjejnë golin, prandaj kjo pjesë përfundoi me rezultat minimal 1:0.

Real Madrid vazhdoi të dominojë edhe në pjesën e dytë, me kandidatin kryesor për Topin e Artë, Karim Benzema që qetësoi "Los Blancos" me një gol të bukur nga afërsia.

Ferland Mendy me një top të gjatë gjeti Vinicius Junior, me brazilianin që asistoi për Benzema, i cili dyfishoi epërsinë (65').

Vlen të ceket se me këtë gol, francezi theu rekordin e Raul Gonzalez duke marrë epitetin e golashënuesit të dytë më të mirë në histori të Real Madrid me 324 gola, vetëm pas Cristiano Ronaldos që numëron 450 gola në total.

Kështu, pavarësisht rasteve të tjera asnjëra skuadër nuk e gjeti më rrugën drejtë golit, prandaj ndeshja përfundoi me rezultat 2:0.

Tani Real Madrid përpos trofeut të Superkupës Evropiane (trofeu i pestë në histori të klubit), kanë siguruar ‘biletën’ edhe për një tjetër trofe si Kupa e Botës për klube, të cilës ende datat nuk i janë caktuar.

Real Madrid e nis sezonin e La Liga-s të dielën e ardhshme, ku do të përballet me Almerinë, derisa Frankfurt pas humbjes së thellë ndaj Bayernit (1:6), në vikend do të luajë ndaj Hertha Berlinit.

Lajme të ngjashme