Alvesin e mbron ish-gruaja e vet: Jo vetëm duart, po tërë trupin e fus në zjarr për të
Dinorah Santana, ish-bashkëshortja dhe menaxherja e Dani Alvesit, e ka mbrojtur legjendën e Barcelonës, i cili është duke u mbajtur në paraburgim nën akuzat për përdhunim.
Përfaqësuesi i Brazilit Alves është duke u mbajtur në një burg në Barcelonë, dhe nuk gëzon të drejtë për lirim me kusht, pasi u arrestua në janar.
Santana është e ëma e dy fëmijëve të Alvesit dhe ishte e martuar me të për 10 vite.
Ajo pretendon se 39-vjeçari nuk është në gjendje ta çnderojë një grua dhe se do t’i fuste të dy duart në zjarr për ta mbrojtur nderin e ish-yllit të Barcelonës dhe Juventusit.
Alvesi është duke u mbajtur në një burg katalonas, pas akuzave për sulm seksual në një klub nate në Barcelonë.
“Ata po e dënojnë Danin ende pa qenë ai në gjykim. Dani nuk do të ishte në gjendje ta çnderonte një grua. Kam qenë e martuar me të për 10 vite dhe e njoh tash e 22 vite”, tha Santana për Sport.

E pyetur nëse do t’i fuste duart në zjarr për Alvesin, Santana u përgjigj: Jo. Do ta fusja tërë trupin në zjarr për të”.
“Për 20 vite, ai asnjëherë nuk më ka folur me ton të ngritur të zërit. Nganjëherë ndodh të fjalosesh, por ai kurrë nuk më ka trajtuar keq. Edhe gratë përreth meje i ka trajtuar njëjtë. Mua, vajzën time, princeshën e vogël, djalin tim po ashtu”, shtoi ajo.
Alvesi u fut në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht më 20 janar, pasi ishte dorëzuar vetë në polici pas akuzave që u bënë ndaj tij në fund të dhjetorit 2022.
