Almir Kryeziu i papërmbajtshëm në këtë fillim sezoni për Dritën, statistikat e dëshmojnë këtë gjë - NACIONALE

Almir Kryeziu i papërmbajtshëm në këtë fillim sezoni për Dritën, statistikat e dëshmojnë këtë gjë

3 vjet më parë

nga Shpend Thaçi

Almir Kryeziu së bashku me Marko Simonovskin janë prej më meritorëve pse Drita sot udhëheq në renditjen tabelelore në Superligë. Disa statistika në vijim që i ka siguruar Gazeta Nacionale dëshmojnë formën e mirë të Kryeziut.

Fakti se Drita sot ka sulmin më produktiv në kampionat nuk mund të llogaritet rastësi. Kontributi i lojtarëve në fazën sulmuese ka qenë jetik në këtë aspekt.

Ka një lojtar që tani për tani nuk po lejon që të vërehet shumë largimi i Arbnor Mujës drejt Antwerpit dhe ai është Almir Kryeziu. Thënë ndryshe, sulmuesi teknik i gjilanasve ka “vallëzuar” me mbrojtësit kundërshtarë në dhjetë javët e para të edicionit të sivjem të Superligës.

Ardian Nuhiu i ka marrë përgjigjet e duhura nga besimi që i ka dhënë Kryeziut, pasi e ka ndihmuar tej mase skuadrën në ndërtimin e rasteve për shënim.

Gazeta Nacionale në vazhim sjell detajisht skanerin e një pjese të rëndësishme të statistikave të detajuara të tij, e që janë mbresëlënëse (sqarim: statistika këto të siguruara nga burimet e Gazetës Nacionale, e të cilat janë derivat i kompanive statistikore që studiojnë paraqitjet e lojtarëve në 360 shkallë).

Kontributi në fazën sulmuese, harkimet dhe driblimet

Almir Kryeziu është në mesin e lojtarëve që kontribuon më së shumti në fazën sulmuese në të gjithë kampionatin kosovar. Statistikat e plotësuara e arsyetojnë këtë gjë.

Vetëm Simonovski dhe Baftiu janë të përfshirë në më shumë aksione sulmuese për skuadrat respektive sesa Kryeziu.

Një tjetër segment i lojës që ka mundësuar që Kryeziu të jetë aq efikas dhe produktiv për Dritën është edhe kërcënimi që përbën për kundërshtarin me anë të harkimeve të tij.

Në të dy krahët e sulmit ka vendosur një mori harkimesh në përpjekje për të gjetur Simonovskin e lirë ose Tahirin në rastin kur ky i fundit është inkuadruar në pjesët e dyta të ndeshjeve.

Thuajse simetrik është numri i harkimeve nga të dy këndet e pjesës të tretë të fushës. Nga krahu i majtë ka bërë 31 harkime me një saktësi prej 45%, ndërsa nga krahu i kundërt ka bërë 34 harkime me saktësi prej 38%. Përgjithësisht ka një mesatare prej 41% të harkimeve të plota të sakta, ku në dy raste janë finalizuar edhe me gola.

Në këtë aspekt, në nivel lige, zë vendin e pestë në listën e lojtarëve më produktivë. Te Drita në këtë tipar të lojës më i mirë sesa ai është vetëm Baftiu.

Ndërsa sa i përket driblimeve vijon të mbetet i pankonkurreshëm edhe pas shtatorit, jo vetëm brenda skuadrës, por në tërë kampionatin.

Njashtu, një element që ia mundëson këtë gjë është edhe koordinimi dhe ekuilibri i duhur gjatë vrapimit, për çka shquhet si futbollist. Kështu, ai ka një mesatare prej 8,16 driblimeve për ndeshje, me një saktësi prej 72%, e cila është larg më e lartë sesa e ndjekësve si Mba, Baftiu apo të tjerët, me 41%, respektivisht 46%.

Cilat janë pozitat e kundërshtarëve që më së shumti e pësojnë nga driblimet e Kryeziut?

Për mbrojtësit e djathtë dhe qendërmbrojtësit e skuadrave të Superligës nuk ka qenë aspak mision i lehtë deri në këtë pikë të kampionatit që ta neutralizojnë futbollistin dukagjinas sa herë ai ka qenë në pronësi të topit.

Pikërisht lojtarët që mbulojnë këto dy pozita kanë qenë ata që kanë pasur më së shumti punë, që është edhe e logjikshme, marrë parasysh pozitën që ka Kryeziu në fushë.

Ai ka një statistikë mbresëlënëse të driblimeve ndaj qendërmbrojtësve të ekipeve të Superligës. Tërësisht në 39 raste sa ka dribluar në zemrën e 16-metërshit kundërshtar, plot 29 herë përpjekjet e tij kanë dalë të sakta (74%).

Pas këtyre driblimeve ndaj qendërmbrojtësve kundërshtarë, në tri raste aksionet kanë përfunduar me gola të shënuar.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me mbrojtësit e djathtë kundërshtarë. Prej 39 herë sa ka provuar driblimin ndaj tyre, 28 herë ia ka arritur qëllimin, me saktësi prej 71%. Vijimi i këtyre aksioneve ka prodhuar dy gola të shënuar nga Drita.

Sa i përket realizimit të golave pas driblimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur kur ato janë regjistruar nga krahu i kundërt i fushës.

Kërcënim konstant për sulmin

Sigurisht që Almir Kryeziu ka qenë prej pikave më të forta te Drita deri më tani, sepse numrat bëjnë që faktet të jenë kokëforta sa për ta mbrojtur këtë tezë.

Aftësia e tij për t'u koordinuar nga të dy krahët e sulmit duke i alternatuar ato, i jep atij një përparësi enorme.

Goditjet e tij kanë ardhur si nga afërsia, ashtu edhe nga distanca. Në 26 herë sa ka goditur brenda zonës së penalltisë, ka shënuar 4 gola dhe ka pasur një saktësi ku në 41% goditjet e tij kanë përfunduar në kuadrat të portës.

Një shifër domethënës goditjesh kanë ardhur edhe nga jashtë zona e 16-metërshit. Janë tërësisht 25 rastet kur Kryeziu ka goditur nga të tilla pozita, duke bërë që 40% herë ta gjente katërkëndëshin, edhe pse jo shkundjen e rrjetës.

Për fund, me kaq nuk mund të riepilogohet rëndësia në fushë e sulmuesit anësor të Dritës. Ai akoma vazhdon ta mbajë efikasitetin më të madh në kampionat sa i përket pasimeve kyçe, me 2,68 për ndeshje, duke qenë para Gripshit dhe Hotit që e ndjekin pas.

Ndeshja e radhës e Dritës zhvillohet nesër (e shtunë) ndaj Dukagjinit në Klinë. Favorit për ta fituar këtë ndeshje llogaritet skuadra e Nuhiut.

Deri sa të vazhdojë ky rendiment në fazë sulmuese, me këtë kimi, ku hisedar në këtë formë është edhe Kryeziu, Drita me të drejtë po konsiderohet si antagonistja kryesore e kampionit në fuqi, Ballkanit, për të ngadhënjyer në edicionin e sivjem të Superligës.

Lajme të ngjashme