Alexis Sanchez: Doja t’i bashkohesha Man Cityt, do t’ia kisha fituar tashmë Ligën e Kampionëve
Sulmuesi Alexis Sanchez mendon se Manchester City do ta kishte fituar Ligën e Kampionëve tashmë në rast që do ta transferonin, përpara se të detyrohej t'i bashkohej Jose Mourinhos në "Old Trafford".
Ish ylli i Arsenalit ishte një ndër lojtarët më në formë në vitin 2018, kur vendosi t'i bashkohej Man Unitedit, ku pastaj gjithçka shkoi keq.
Sidoqoftë, para kalimit te Man United, Sanchez ishte pranë nënshkrimit me Manchester Cityn, por meqenëse Raheem Sterling refuzoi kalimin te "Emirates" situata ndryshoi.
"Isha duke iu bashkuar Man Cityt, bisedova me Guardiolan çdo ditë, ai më tha urime ditëlindja. Ishte si babai im. Ishte njësoi te Barcelona dhe njëjtë te City".
"Biseduam çdo ditë, më dërgonte mesazhe dhe gjithçka ishte gati, ishte një lojtar që do të shkonte te Arsenali".
"Pastaj Wenger më tha nuk do të largohesh sepse ai lojtari nuk donte të vinte dhe nuk kanë ndonjë tjetër. Ndërkohë, telefoni dëgjohet, Mourinho më thotë "Alexis, këtu është numri shtatë i gatshëm për ty".
"Nuk kishte të bënte me para, të gjithë e dinë. Ishte njësoi me Unitedin dhe Cityn. Pastaj më tha se do ta mbaja numrin shtatë, luajmë në Ligën e Kampionëve dhe do të japim gjithçka".
"Doja të largohesha në atë moment, por i kisha dhënë fjalën Guardiolas. Pastaj i thashë vetës, një kilian të luajë për Manchester Unitedin, asnjëherë nuk kishte ndodhur".
"Numrin shtatë e kishin mbajtur Cantona, Beckham, Cristiano Ronaldo dhe tani një kilian, ishte ëndërr. Nuk pendohem, gjërat ndodhin për një arsye. Do më pëlqente të shkoja te Man City, ata do ta kishin fituar Ligën e Kampionëve tani. Në finale do të bëja diçka", tregoi ai.