Agjenti i Martinez: Nuk dihet çfarë do të sjellë e ardhmja – nuk do të befasohesha nëse Bayern është i interesuar
Sulmuesi 25-vjeç argjentinas, Lautaro Martinez, është në vëzhgim nga shumë klube evropiane. Agjenti i tij ka folur rreth të ardhmes të klientit të lojtarit.
Nuk ka ndonjë futbollist për momentin që ka vleë më të lartë sesa Lautaro Martinez. Për këtë arsye, padyshim që shumë klube gjithandej janë vendosur në lajthitje për sigurimin e shërbimeve të tij.
Agjenti i sulmuesit, Alejandro Comano, në një intervistë dhënë sot për "TyC Sports", i ka lënë të gjitha dyert e hapura për një transferim gjetiu në të ardhmen, anipse është shprehur se për momentin është i lumtur të klubi "zikaltër".
Periudha e vështirë në të cilën po kalon Interi, sidomos nga aspekti financiar i klubit, me nevojë të madhe për të gjeneruar fonde nga shitja e lojtarëve – nuk e bën realisht asnjë lojtar të duket i pashitshëm.
Agjenti i Lautaros aspak i befasuar për interesimin e Bayern
Shumë pyetje iu shtruan Alejandro Camanos në cilësinë e agjentit të Lautaro Martinez, ku thelbi ishte të dihej më shumë rreth të ardhmes së tij. Në medie së voni është përfolur edhe një interesim i Bayern.
“Nuk do të befasohesha nëse Bayern është konkretisht i interesuar për Lautaron. Ka gjithmonë kërkesa për Lautaron. Mirëpo ai sot ka idee shumë të qarta. Ai ka mendjen vetëm tek Interi dhe Botërori”, nënvizoi ai.
Njëherësh ai rrëfeu edhe një prapaskenë nga afati i fundit kalimtar, ku tregoi që ka ekzistuar mundësia që të largohej nga Interi.
“Gjatë afatit të fundit kalimtar ka pasur që të largohej për shkak të shifrave ngazëlluese me të cilat vinin ofertat, por ka besuar se ishte më mirë që të mos ndryshonte ambient”, potencoi ai.
Sido që të jetë, fakti që ka vendosur të qëndrojë tek Interi nuk nënkupton se nuk do ta rivlerësojë largimin në të ardhmen. Të paktën kështu la të nënkuptohej agjenti i tij.
“Në të ardhmen gjithçka mund të ndodhë. Interi nuk është në momentin më të mirë, por është një skuadër e madhe dhe një ambient i mrekullueshëm për një lojtar. Askush nuk e mohon që klube të tjera do të shfaqen të interesuara për të në mënyrë të vendosur. Megjithatë, ai e nuk e ka për ngut”, tha ai.
Lautaro Martinez në sezonin aktual të Serie A ka shënuar 3 gola në 8 paraqitje. Ndërkaq, akoma pa gola është në Ligën e Kampionëve, aty ku ka realizuar 3 paraqitje.
Edhe disa shqetësime muskulore e kanë hendikepuar atë që të mos jetë në më të mirën e vet.

