Inzaghi: Fitorja ndaj Barcelonës vetëm fillimi për Interin
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, pas fitores ndaj Barcelonës me rezultat 1:0, ka thënë se fitorja nuk ishte e papritur dhe se nga këtu mund të jetë një fillim për skuadrën e tij.
Zikaltrit në këtë ndeshje hynë si skuadra me më pak shanse për të fituar, kjo edhe për arsyen se në gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat, katër i ka humbur, ndërsa katalanasit në periudhën e njëjtë kanë fituar të gjitha nga gjashtë takimet e zhvilluara në kampionatin spanjoll.
Plani taktik funksionoi në mënyrë brilante, lejoi Barçën ta zotëronte topin në San Siro dhe të godisnin në kundërsulme, gjë që ndodhi kur Hakan Calhanoglu me një goditje precize nga jashtë zonës e dërgoi topin prapa krahëve të Ter Stegen.

“Nuk do të thosha se ishte e papritur. Unë thashë dje se ishte një mundësi e shkëlqyer kundër një prej skuadrave më të mira në botë”, tha Inzaghi për Sky Sport Italia.
“Luanim me agresivitet, vendosmëri, pasi është e vetmja mënyrë për t'i mundur këta kundërshtarë. Ne prisnim një kohë të gjatë për këtë, jam i lumtur për tifozët dhe klubin, por ende nuk kemi arritur asgjë, duhet të jetë një natë e mrekullueshme që shënon fillimin e diçkaje.”
Interi kishte qenë në krizë dhe po vinte nga një humbje e dhimbshme në Serie A ndaj Romës së Jose Mourinhos në San Siro.
“Isha shumë, shumë i zhgënjyer me rezultatin kundër Romës, por jo me paraqitjen. Mbrëmjet si kjo do të na bëjnë mirë, ne duhet të rikuperojmë energjinë tonë tani dhe kemi terren për t'u rikuperuar në Serie A.
"Mund të jetë fillimi, por ne duhet t'i japim një ndjenjë vazhdimësie këtij rezultati dhe paraqitjes së tanishme."
Inzaghi ka qenë nën kritika dhe kishte zëra se ai mund të shkarkohej nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe këtë mbrëmje.
“Unë vazhdoj punën time, ka momente që ndodhin dhe e mbaj kokën lart, sepse stafi im, lojtarët dhe klubi kanë bërë gjëra të mëdha gjatë 15 muajve të fundit. Pashë një skuadër që është solide dhe lufton së bashku, përndryshe nuk merr një rezultat të tillë.
“Jam i lumtur, por këta djem janë të njëjtët që më dhanë dy trofe vetëm disa muaj më parë dhe ata e dinë më shumë se kushdo që tani kemi terren për të plotësuar fillimin e dobët.”
Skuadra e Inzaghit do të ketë punë të vështirë në dy përballjet e radhës, ku në Serie A udhëton te kundërshtari i papërshtatshëm, Sassuolo, ndërsa në mesjavë luan ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës në Camp Nou, që mund të jetë përcaktuese për fatin e dy skuadrave në Grupin C të Ligës së Kampionëve.


