Roma siguron fitore të madhe, mposht Interin në “San Siro”
Roma ka dalë fitimtare në ndeshjen e javës në Serie A, duke mposhtur Interin me rezultat 1:2.Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Interin.
Inzaghi nuk po arrin ta sjellë qetësinë tek Interi, me rezultatet që janë tejet të brishta në këtë fillim sezoni. Ndryshe nga ai, Mourinho po fillon që ta këndellë Romën, duke e shndërruar në njërën prej skuadrave më kompakte në kampionat.
Ndeshja filloi më mirë për Interin. Që në minutën e 10-të ishte ish-sulmuesi i Romës, Edin Dzeko, ai që gjeti golin. Megjithatë, gjyqtarët në dhomën e VAR-it e anuluan golin në fjalë, me arsyetimin se ishte në pozitë jashtë loje.
Mbizotërimi i Interit në pjesë të parë vazhdoi. Në posedim të topit për një nuancë ishte më mirë skuadra zikaltre në fraksionin e parë të ndeshjes, por ishte dukshëm më e qartë në aksionet sulmuese.
Kësisoj, në minutën e 30-të Barella harkoi mjaft mirë, ku të lirë në brendi të zonës së 16-metërshit gjeti Dimarcon. Mbrojtësi i majtë goditi saktë në drejtim të portës për 1:0.
Sidoqoftë, shumë shpejt erdhi kundërpërgjigja e skuadrës mysafire. Përfaqësuesi italian, Spinazzola, me një pasim të mirë gjeti të lirë Dybala brenda zonës. Ai koordinoi të majtën e tij dhe Handanovic nuk arriti që ta neutralizojë goditjen e tij, për t’i barazuar shifrat në 1:1.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.
Me t’u rikthyer skuadrat në fushë, Inter u mundua që të bënte tryesni drejt portës së Patricios, edhe pse jo me aksione të shpejta dhe dinamike.
Roma u tërhoq dukshëm më shumë në gjysmëfushën e saj, për ta interpretuar në kundërsulme lojën. Kjo ishte fotografia e ndeshjes deri në fund.
Përpjekjet e Interit ishin të shterpa, hiç një goditje nga gjuajtja e lirë e Calhanoglu, që përfundoi shumë pranë katërkëndëshit.
Sido që të jetë, enigma e ndeshjes u zgjidhë nga një ndërprerje. Zhvillohej minuta e 75-të kur Pellegrini ekzekutoi mjaft mirë një këndore.
Më lart se të gjithë u shkëput Smalling, duke fituar duelin me Skriniar. Mbrojtësi anglez goditi saktë me kokë, për të përmbysur rezultatin në 1:2.
Pjesa e mbetur e sfidës u karakterizua me një lojë nervash, me shumë duele të ashpra, ku Inter përpiqej të mos vetëkënaqej me humbjen e radhës.
Në anën tjetër, Roma e Mourinhos u mbrojt mjaft mirë, duke ruajtur qetësinë e duhur për ta administruar epërsinë në favor të vet.
Pas kësaj ndeshje, të paktën tani për tani, Roma zë pozitën e 4-t me 16 pikë, kurse Inter ndalet në pozitën e 7-të me 12 pikë.


