Inzaghi vetëlavdërohet: Kudo që shkoj humbjet ekonomike zvogëlohen, të ardhurat rriten dhe vijnë trofetë
Simone Inzaghi doli në konferencë për shtyp sot në prag të vigjiljes kundër Romës, para se të vijë ndeshja tjetër në Ligën e Kampionëve gjatë mesjavës së ardhshme. Ai nuk hezitoi të flasë në superlativ për veten e tij.
Një Inzaghi ndryshe nga zakonisht u duk sot para gazetarëve. Një reflektim ndoshta i krizës së rezultateve në të cilën po kalon Inter dhe që ka ndikuar në tërë ambientin e klubit.
Trajneri italian po kritikohet për shkak të formës së brishtë të Interit. Deri më tani atij i kanë dalë në mbështetje tifozët besnikë të klubit, të cilët më shumë ia kanë hedhur fajin lojtarëve dhe veçanërisht pronarit Zhang.
Inzaghi nxori veten në mbrojtje, duke thënë se si njeri është garantues i sukseseve: “Klubi është gjithmonë në gatishmëri. Kudo që shkoj unë humbjet ekonomike zvogëlohen, të ardhurat rriten dhe vijnë trofetë. Kjo është historia ime.”

Ai nuk beson se është në rrezik për t’u shkarkuar. Madje, kësaj pyetje iu përgjigj me buzëqeshje: “Ne trajnerët jemi gjithmonë në rrezik. Kemi ndonjë pikë më pak dhe jemi duke u mundur të punojmë sa më shumë, por unë jam shumë, shumë i qetë, sepse punoj përditshmërisht me lojtarët dhe stafit tim”.
Konfirmohet vendi titullar për Asllanin, Lukaku mungon ende
Mesfushori shqiptar, Kristjan Asllani, do të luajë nga minuta e parë kundër Romës, pasi Brozovic është lënduar gjatë pauzës së kombëtareve dhe roli i tij do të jetë pikërisht ai i zëvendësimit të kroatit. Një gjë të tillë e pohoi edhe vetë Inzaghi.
“Asllani është një lojtar të cilin e kam zgjedhur unë vetë së bashku me klubin. Sigurisht se nesër do të luajë nga minuta e parë”, tha ai.

Inter po përballet me një seri lëndimesh, të cilat po ia bëjnë të vështirë punën stafit teknik të zikaltërve: “Në mesfushë kam paksa vështirësi, sepse janë vetëm katër mesfushorë në gatishmëri. Përveç Brozovicit, as Gagliardini nuk ka mundur të stërvitet në dy seancat e fundit.”
Ndër lajmet më të këqija që pranoi Interi gjatë këtyre ditëve ishte mos arritja e riaftësimit nga lëndimi për Romelu Lukakun brenda afateve që ishin paraparë më herët. Pra, parashikohej se sulmuesi belg do të rikthehej pas pauzës së kombëtareve, por kështu nuk do të ndodhë.
“Sa i përket Lukakut, ka një vonesë në rikuperimin e tij, duke bërë që të vuajmë mungesën e një lojtari të rëndësishëm. Atij i duhet ende edhe pak kohë”, përfundoi Inzaghi.
