Agim Ademi i ndryshon fjalët, tash thotë se trajneri emërohet në mars
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, i ka ndryshuar fjalët sa i përket çështjes së përzgjedhësit të ri të Kosovës.
Kombëtarja e Kosovës është pa trajner që kur u largua Primoz Gliha, të cilit i skadoi kontrata dhe FFK-ja vendosi të mos e vazhdojë bashkëpunimin.
Tashmë në mediat lokale janë përmendur emra të shumtë, e Franco Foda ishte më i fundit.
Mirëpo, emri i ri i përzgjedhësit të Kosovës nuk do të dihet deri në muajin mars sipas Ademit, pavarësisht që ky i fundit javë më parë deklaroi se do të prezantohet ditëve në vijim.
“Është çështje ditësh që do të zgjidhet trajneri, kemi ardhur deri te fundi. I kemi tre trajnerë dhe do të jetë një prej tyre. Por, shumë shpejtë do ta shihni trajnerin në Prishtinë dhe në short do të jetë me ne”, kishte deklaruar Agim Ademi më 21 janar në “Kanal 10”.
E tani i pari i FFK-së i ka ndryshuar fjalët, meqenëse në një intervistë për “KlanKosova” e shtyu emërimin e përzgjedhësit të ri deri në mars.
“Kosova do ta ketë trajnerin para fillimit të ndeshjeve të marsit sigurisht. Tash për tash nuk kemi emër, por këta emra që janë përfolur nëpër media, deri tash është vetëm mediale”.
Kosova do të zhvillojë dy miqësore në muajin mars, ndaj Armenisë më 22 mars kurse katër ditë më vonë kundër Hungarisë.