“E imagjinon që Arthurin e vlerësuam 75 milionë euro?!” - Ish-drejtuesit e Juves s'ia falin vetes gabimet
Mediet italiane po vazhdojnë me serinë e publikimeve të përgjimeve telefonike të ish-drejtuesve të Juventusit, pasi të njëjtit po hetohen nga gjyqësori sportiv italian për mashtrime në transferime. Në përgjimin e fundit kryefjalë ishte Arthur Melo.
Ndërkohë në duart e gazetave kryesore italiane kanë përfunduar përgjimet e reja telefonike mes ish-drejtuesve të klubit.
Në përgjimin e fundit telefonik që publikoi “Corriere Della Sera” dëgjohet ish-drejtori financiar, Marco Re, shfaqej i indinjuar në shtator të vitit 2021 duke biseduar me Arrivabene (ish-pjesë e Këshillit Drejtues të klubit) për llogaritjet e palogjikshme dhe të paarsyeshme, duke përmendur këtu një shembull konkret.
“A mund të paramendosh, për një si Arthur, që për ta larguar Pjanicin e ke vlerësuar 75 milionë euro?! Po mendoj...ishte e qartë se nuk ishte një lojtar që vlente ato shifra”, dëgjohet duke thënë i nervozuar Marco Re.

Gjithmonë duke folur me Arrivabene ai i drejtohej me një ton mjaft shqetësues, duke paralajmëruar se disa gjëra nuk janë duke shkuar në rrugën e duhur.
“Janë ca gjëra që të bëjnë të rrëqethet lëkura”, thoshte ai.
“Zonja e Vjetër” vëmendjen më të madhe e ka jashtë fushës sesa brenda saj gjatë kësaj periudhe kohore. Gjyqësori italian akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit, edhe pse një aktvendim vetëm se ka ndodhur. Juventusi do ta njohë gjatë javëve në vijim edhe verdiktin tjetër sa i përket mashtrimeve me pagesa të lojtarëve
Klubi torinez po vazhdon të mbrohet nga këto akuza. Sipas tyre ato janë të paqëndrueshme, tendencioze dhe aspak të arsyeshme. Zyrtarët ligjorë të tij do ta përdorin një shkallë ankimimi për ta zbutur ose rrëzuar në tërësi aktvendimin e parë të gjyqësorit sportiv.
