Peja e shpërfilli vendimin e Federatës së Basketbollit dhe e përsëriti hedhjen e gjësendëve në parket - NACIONALE

Peja e shpërfilli vendimin e Federatës së Basketbollit dhe e përsëriti hedhjen e gjësendëve në parket

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Peja e ka shpërfillur vendimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) duke e tejkaluar numrin e lejuar të tifozëve në palestrën Karagaç në disfatën kundër Trepçës në gjysmëfinale të Superligës të enjten.

Për më tepër, tifozët e Pejës e përsëritën incidentin e ndeshjes paraprake, për të cilin klubi i tyre ishte dënuar nga FBK-ja, duke hedhur shishe uji dhe çakmakë në parket.

Trepça e mundi Pejën 81:76 për ta siguruar finalen e Superligës, ku e pret Ylli, me rezultat të përgjithshëm 3:1 pas katër përballjeve gjysmëfinale në palestrën Karagaçi që dukej se ishte mbushur shumë më shumë seç ishte lejuar në bazë të një vendimi të FBK-së.

Peja ishte dënuar fillimisht me dy ndeshje pa tifozë si vendas, para se dënimi t’i zbutej në bazë të një vendimi të ri, i cili ia lejonte ta mbushte 25% të kapacitetit të palestrës për këtë ndeshje. Ndërsa gjoba prej shtatë mijë eurove, ishte ulur në vetëm tre mijë euro.

Megjithatë, në bazë të pamjeve televizive palestra Karagaçi, e cila ka një kapacitet prej 2.500 ulëseve, duket se ishte mbushur rreth përgjysmë. Në të duket se ishin të pranishëm më shumë se 620 tifozë, apo 25% të kapacitetit të lejuar sipas vendimit të federatës.

Tribuna qendrore e palestrës ishte pothuajse plotësisht e mbushur, ndërsa tifozë të pranishëm kishte edhe në tribunat jugore dhe veriore.

Klubi i Pejës nuk i është përgjigjur kërkesës së Gazetës Nacionale për koment.

Po ashtu, në çastet e fundit të ndeshjes, tifozët pejanë hodhën shishe uji dhe çakmakë në parket.

Por zyrtari për media në FBK, Bahri Rexha, tha për Nacionalen se Komesarit të Garave do të vendosë më vonë për këtë çështje.

“Natyrisht për hedhjet e shisheve dhe shkrepsave nuk mund t’i shpëtojë dënimit. Sikur nuk i kishte shpëtuar në ndeshjen e kaluar. Për çështjen e tifozëve Peja ka qenë organizatore, Komesari del një ditë më vonë me raport”, tha Rexha.

Para kësaj ndeshje dhe para se FBK-ja ta zbuste dënimin ndaj Pejës, drejtori i klubit pejan Arbër Elashani kishte kërcënuar se skuadra e tij nuk do të dilte në parket për zhvillimin e ndeshjes së katërt kundër Trepçës, duke mos e pranuar dënimin.

“Tashme është pothuajse zyrtare. Ne nuk do të luajmë të enjten. Konsekuencat do të ju tregojmë më vonë. Të gjitha të argumentuara!” kishte thënë Elshani në Facebook pas vendimit të parë të FBK-së.

Peja ishte dënuar për shkak se një tifoz dhe një zyrtar i saj ishin futur në parket dhe e kishin sulmuar një lojtar të klubit mitrovicas.

Për më tepër, tifozët pejanë kishin përdorur simbole nacionaliste serbe për t’i tallur tifozët vizitorë, duke i ngritur tre gishta.

Përshëndetja serbe me tre gishta është fashiste dhe nacionaliste që është përdorur edhe nga ushtria famëkeqe serbe në Kosovë.

Lajme të ngjashme