Vjeshtë në pikë të verës: Paralajmërohet situatë alarmante me mot, furtuna e shtrëngata
Për pjesën e popullit që ka qenë duke u ankuar për shkak të motit të nxehtë, e që nuk dyshojmë se ka qenë me përfaqësim dinjitoz, kemi lajme të mira - nëse mund të konsiderohen të tilla furtunat e shtrëngatat, edhe pse vështirë se edhe këto do t’i ndalin ankesat.
Muaji i fundit ishte një periudhë që u përcoll me të nxehtë dinjitoz e diskutime të përditshme rreth saj nga pjesëtarët e shoqërisë, por që nëse e shikojmë realisht me maksimalen e temperaturave sa kanë shkuar, nuk janë as afër pikës më të lartë sa mund të shkojnë brenda një vere.
Këtë nuk po e them unë, - ani pse jam i ekspozuar çdo ditë ndaj temperaturave përvëluese, madje duke përdorur autobusin si mjet transporti ku jo çdo herë klima e era e mirë gjejnë përfaqësim - por drejtori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, zoti Besim Aliu.
Furtuna nga pasditja e sotme (pesë korrik, dymijëenjëzetëedy)
"A e keni nxehtë a e keni ftohtë, a doni freski sot pasdite", më tha Aliu në një bisedë telefonike pasi u prezantova dhe sigurisht ai e kuptoi se për gjë tjetër nuk isha i interesuar, veç njohurive të tij për temperaturat që do na presin gjatë ditëve në vijim.
"Kish bo pak shi me ra...", ia ktheva, me një bindje në ngritje që po ma shkaktonte ndërdija se ai ishte njeriu që duhej ta bindja për të sjellur pak freski mbi asfaltin e thatë urbanistik.
"Situata është alarmante pasdite, ka me pasë furtuna, reshje shiu, breshëri e të tilla", tha ai.
"Do të jenë ca ditë të tilla, për shkak të anomalive dhe temperaturave të larta që janë regjistruar në qershor, por që tani pas 15 korrikut, sërish do të kemi ngritje, pasi temperaturat maksimale ende nuk janë regjistru".
Pasi nënvizoi se temperaturat maksimale ende nuk janë arritur për këtë verë, insistova të dija saktësisht cilat do të jenë ato, për ta përgatitur veten për atë që po më priste, mua dhe popullin.
"Do të shkojnë deri në 38, 39 gradë celsius, në territore të izolume edhe 40", u shpreh Aliu tutje.
"Prej sot pasdite dhe nesër priten të reshura, të enjten do të ketë një stabilizim i përkohshëm por që nga dita e premte, temperaturat do të ulen edhe më shumë (rreth 21-25 gradë)".
Duket se temperaturat "jashtë normales" të qershorit, kanë ndikuar që pastaj ato të shkaktojnë anomali drastike, pasi - siç e thotë edhe vet Aliu - "çdo përpjetëze ka edhe teposhtëze".
"Kjo rënie e temperaturave është normale, përshkak se në qershor ishte temperatura jashtë mesatares, domethënë shumë më e lart. Çdo përpjetëze ka edhe teposhtëze", potencoi në fund ai.
Apel nga Qendra e Mjekësisë Familjare
Ishte e udhës të kuptoja më shumë rreth mundimeve shëndetësore që po u shkaktonte të nxehtit kosovarëve, në fakt prishtinasve, pasi kontaktova drejtorin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF), Bujar Gashin.
Nga ajo që tha kuptova se nuk ka numër të shtuar të pacientëve që kanë kërkuar asistencë mjekësore përshkak të vapës, por u apelua për masa mbrojtëse.
"Nuk po vërehet fluksi i shtimit të numrit të qytetarëve që kërkojnë trajtim përshkak të vapës. Megjithatë, si pasojë e temperaturave të larta, ne vazhdojmë të apelojmë tek qytetarët, sidomos ata në moshë të shtyer, të mos frekuentojnë ambientet e jashtme pas orës 10:00 të mëngjesit e deri në ora 17:00. Po ashtu, rekomandohet që pacientët të dehidrohen, të pinë lëngje, e nëse kanë ndonjë urgjencë që të dalin jashtë me patjejtër në pikun e temperaturave të kenë ndonjë kapelë apo gjësend tjetër që parandalon rrezet e diellit në kokë."
Tema për motin duket se do të intensifikohet në ditët në vijim në mesin e popullatës, sidomos në rrethana e takime me persona të tillë që nuk ke shumëçka të përbashkët - moti gjithnjë të nxjerr nga situata.
