Vendimi i Qeverisë për gotën e ujit në kafeteri në kohën kur nuk ka ujë nëpër shtëpitë tona - NACIONALE

Vendimi i Qeverisë për gotën e ujit në kafeteri në kohën kur nuk ka ujë nëpër shtëpitë tona

4 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria Kurti mori vendim që të obligoheshin kafeteritë për t’i shërbyer me ujë konsumatorët e tyre që lypin ujë. Ky vendim qeveritar, meqë është qeveritar, do të duhej të ishte rrjedhojë e ndonjë politike të caktuar – të cilës do t’ia shihnin hairin ose sherrin – por natyrisht që është thjesht rrjedhojë e një banaliteti ekstrem që meriton denoncim.

Nëse qëndron tepër gjatë nëpër kafeteri, është e vështirë ta mendosh veten ndryshe përveçse si myshteri kafeterie. Vendimi i djeshëm qeveritar nuk ka prapa kurrfarë politike, e as kurrfarë studimi të gjendjes ekzistuese nëpër kafeteri e lokale tjera; nuk ka prapa as politikanë, por myshteritë e kafeterive dhe gajlet e tyre.

Yll Rugova i VV-së si nismëtar i kësaj ideje shprehej që “uji është e drejtë themelore”. Po, por kjo e drejtë themelore – nëse është aq themelore – duhet të zbatohet edhe në hapësira tjera jogastronomike. Në shtëpitë tona ta zëmë.

Meqë mbrëmë mbeta jashtë më gjatë se zakonisht, më duhej të lahesha pak më vonë. Por, siç ndodh jo rrallë, uji ishte ndërprerë në orën 00:00. S’ishte hera e parë që kjo ndodhte, dhe natyrisht që s’do të jetë as hera e fundit. Në vend se të ‘obligoheshin’ kafeteritë që të shërbenin ujë, do të ishte mirë që përmes ndonjë vendimi qeveritar të obligoheshin çeshmet dhe dushët tanë të na shërbenin me ujë edhe pas mesnate.

Për shumë njerëz, detyrimi për të blerë shishe me ujë të pijshëm për të kryer nevoja esenciale përbën barrë të rëndë. Ka të tillë që punojnë deri në orët e vona, ose edhe rrinë deri në orët e vona, dhe nuk duan të flenë të djersitur ose edhe duan të pinë ujë nga çeshmet e tyre. Pra, duan t’ju respektohet e drejta themelore për ujë të pijshëm edhe në shtëpitë dhe banesat e tyre, e jo veç nëpër kafeteri.

Por, cila është ndërkohë gjendja ekzistuese?

Sipas përvojës time, shumica dërmuese e kafeterive dhe lokaleve tjera të gastronomisë qesin ujë edhe nëse klientët nuk e kërkojnë fare. Me kafe, raki, ushqim e gati gjithçka tjetër përveç porosive që s’e rrisin etjen. E nëse e rrisin etjen, natyrisht që s’përtojnë ta shërbejnë edhe një gotë ujë nëse iu kërkohet. Në anën tjetër, një numër kafeterish nuk ofrojnë ujë për asnjë porosi pa e kërkuar myshterinjtë. Ndoshta duan t’i rrisin fitimet e ndoshta janë shpirtngushtë. Por, nëse e kërkon një gotë ujë, ajo të shërbehet. Nuk e përjashtoj mundësinë që ndonjë kafeteri edhe të refuzojë – por, a duhet vendim qeveritar për ato pak vende? Fundja, nëse ato na refuzojnë neve një gotë ujë, edhe ne dimë t’i refuzojmë praninë tonë atyre.

Cilat janë të dhënat empirike që e çuan Qeverinë e Kosovës drejt këtij vendimi? Sa është numri i kafeterive dhe lokaleve tjera të gastronomisë që nuk shërbejnë ujë? Natyrisht, nuk ka kurrfarë matjesh e kurrfarë të dhënash. Ka një vendim arbitrar e banal që provon të vendos një imazh tjetër të vockël në imazhin qendor. Është një veprim provincial që mësyn fshehjen e mungesës së politikave. Një tjetër veprim në listën e gjatë të veprimeve pa kurrfarë impakti që provojnë të fshehin mungesën tmerruese të ideve serioze e vizionit për të ardhmen e vendit.

Çikërrimat dhe reklamat janë e vërteta, po përpiqen të na thonë belbëzueshëm! Por, ja që s’janë! Po arrijmë të shohim edhe përtej tyre dhe jemi dëshmitarë të rritjes së çmimeve nëpër kafeteri e restorante - shpesh, pa asnjë shpjegim ndaj klientëve e me arbitraritet dërmues - ndërsa inspektimet mungojnë.

Lajme të ngjashme