Valon Syla sulmon gazetarët e Nacionales pasi iu publikua profili: "S'jam kaotik, më shajshit kur ishit në VV"
Gazeta Nacionale tashmë e ka nisur një seri shkrimesh mbi profilet e analistëve televizivë. Kjo duket se ka prekur seriozisht gazetarin me përvojë Valon Sylën. Ai tashmë ka bërë dy statuse në të cilat ka sulmuar gazetën Nacionale.
Nacionale ka publikuar më herët një profil mbi analistët Krenar Shala dhe Yll Hoxha. Por sot, një të tillë e publikoi edhe për gazetarin dhe analistin Valon Syla. Syla është prej analistëve që provokon më së shumti debat dhe që nxit më së shumti komente në rrjetet sociale të Internetit.
Ai etiketoi gazetarët (sic) “e PSD-së aty që po mundohen me rigjetë veten... bashkë me do filozofa të rinj...”
“Pse po silleni si arbitër? Kush ja u dha, ose si e fituat këtë vend juve?” – shkruan më tej Syla. Ai pretendon se gazetarët e Nacionales e kanë sulmuar atë edhe gjatë kohës sa ata ishin në Vetëvendosje. Gazetari që e ka përgatitur artikullin e ka mohuar një pretendim të tillë.
Në fakt, Nacionale nuk po sillet si arbitër por thjesht po u jep të drejtën disa gazetarëve që të shkruajnë profile analistësh televizivë duke e pranuar subjektivitetin në gjykim.
Pas çdo profili është shkruar se “redaksia e Nacionales jodomosdo pajtohet me qëndrimin në fjalë!” Ndërkohë, emri i gazetarit mbetet anonim për shkak të mundësisë së madhe të lëndimit të raporteve ndër-kolegiale. Nuk është publikuar emri i gazetarit as për dy profilet e para, nuk është publikuar as për profilin e Sylës.
Por, Syla ka vazhduar me statuse duke e quajtur veten “kaotik Syla” në mënyrë ironike në një status tjetër duke bërë thurjen e “PSD”-së përsëri, por edhe atë të Nacionales dhe Sadri Ramabajës. Qysh mund të quhet kjo ndryshe veçse "kaotike"?
Gazeta do të vazhdojë me profile të tjera analistësh televizivë, me dy shkrime që pritet të publikohen gjatë ditës së nesërme.


