Tri javë pas vrasjes, merr epilog rasti i Faton Hajrizit: Familja identifikon trupin e pajetë
Më 19 korrik, në Lloznicë të Serbisë, një qytetar nga Kosova u qëllua me armë zjarri. Kjo një ditë pasi ai paraprakisht kishte vrarë një zyrtar policor serb.
Njeriu i cili për më shumë se 2 javë qëndroi në arrati nga institucionet e Kosovës pasi ishte arratisur nga burgu, do të synonte daljen në Evropë nëpërmjet Serbisë.
Fjala është për Faton Hajrizin, të dënuarin për vrasjen e ushtarit rus dhe për disa grabitje të tjera, i cili herën e fundit u arratis nga burgu i Smrekonicës. Arratisja e tij e 9 që nga koha e përfundimit të luftës.
Për tri javë të tëra, institucionet e Serbisë nuk dhanë shumë detaje. As për avokatin as për familjen. Tri javë pas, trupi i pajetë i Faton Hajrizit u lejua të kthehet në Kosovë, dhe familjarët e kryen identifikimin e kufomës.
Drejtori i Departamentit të Laboratorëve Mjeko-Ligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Agron Thaqi, ka thënë se trupi i Faton Hajrizit tanimë është identifikuar edhe nga familjarët e tij.
“Mbrëmë rreth orës 1 është pranuar trupi i pajetë i cili është i Faton Hajrizit. Këtë po e deklarojmë pas urdhrit që është bërë nga Prokuroria, respektivisht nga prokurori përgjegjës. Është identifikuar nga familjarët e rastit në pranimin e mjekut kujdestar”, ka thënë Thaqi.
Thaqi ka thënë se sipas konsultimeve në Institut është formuar edhe një komision tre anëtaresh për kryerjen e autopsisë, i përbërë nga ekspertët mjekoligjor.
Ai ka thënë se pas autopsisë trupi do t’ju dorëzohet familjarëve.
“Realisht për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe rrethanave, në konsultim edhe me drejtorin e përgjithshëm kemi formuar një komision tre antarësh prej ekspertëve mjekoligjorë që do të kryejnë autopsinë që do të fillojë rreth orës 13:00 në prani të Prokurorit dhe familjarëve. Raporti i autopsisë varet, trupi i pajetë pas autopsisë do t’ju dorëzohet familjarëve”, ka thënë ai.
Edhe zyrtarisht ka nisur autopsia e trupit të Hajrizit, ku prezent është edhe një prokuror nga Prokuroria e Mitrovicës.
Se nëna e Fatonit e ka konfirmuar trupin e pajetë të Fatonit, e ka konfirmuar avokati Arianit Koci.
“Spekulimet dhe intepretimet amatoreske plot smirë dhe xhelozi, më kanë penguar në kryerjen e misionit tim - kthimin e trupit të pajetë të Faton Hajrizit! Prej sot, spekulimet duhet të ndalën! Familja Hajrizi po lëndohet dhe dëmtohet shumë. Kufomën të cilën e solla mbrëmë është pa asnjë dyshim e Fatonit. Këtë e pohoi sot nëna e Fatonit, gjatë procedurës së identifikimit”, ka shkruar Koci.
Pas hyrjes në Kosovë në kufitare në Merdare, avokati i Familjes Hajrizi, Arianit Koci, ka bërë me dije se trupin ia ka dorëzuar institucioneve të Kosovës.
“Unë kam premtuar se do ta sjell trupin. Misioni ka përfunduar mirë. Jam shumë i lodhur, s’mund ta zgjasë shumë. Trupi i është dorëzuar Institutit të Mjekësisë Ligjore, prokurorit dhe Policisë së Kosovës. Ata vazhdojnë tash me procedurat e mëtutjeshme”, ka thënë Koci.
Ai ka bërë me tani se institucionet e Kosovës do të bëjnë ekzaminime të mëtutjeshme.
“Po, tash është në kompetencë të prokurorit, ai besoj deri të hënë apo të martën do të kryhen të gjitha procedurat”, është shprehur ai.
Koci ka treguar se të gjitha dokumentet ia ka dorëzuar institucioneve të Kosovës.
“Gjitha dokumentet që kam pasur ia kam dorëzuar prokurorisë sonë, policisë, kështu që kemi pasur një koordinim të shkëlqyer. Shumë na ka ndihmuar Zyra e Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Tash jam shuëm i lodhur po shkoj ”, është shprehur Koci.
Arritjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit në Kosovë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Përmes një komunikate për media, MPJD-ja ka njoftuar se institucionet e Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikim dhe verifikim.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që trupi i pajetë i qytetarit të Kosovës, i raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë, tashmë ka mbërritur në Kosovë. Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.
Kjo ministri mbrëmë ka njoftuar se Prokuroria e Qarkut në Beograd ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të raportuar si i vrarë në Llozhnicë të Serbisë.
“Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.
Faton Hajrizi është vrarë më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës.
Një ditë me parë, derisa kalonte në territorin e Serbisë, ai kishte vrarë një polic serb dhe një tjetër kishte plagosur.
Disa javë para se të vritej në Serbia, Harizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës.
Hajrizi ishte i dënuar mbi 20 vite burgim për disa vepra të rënda penale.