Spitali i Gjilanit pa lift funksional: Drejtori alarmon se pacientët e kufomat po barten me duar - NACIONALE

Spitali i Gjilanit pa lift funksional: Drejtori alarmon se pacientët e kufomat po barten me duar

3 muaj më parë

nga Gentiana Hasani

Krahas mungesës së ilaçeve, pacientët kosovarë në spitale duhet të përballen edhe me mungesën e infrastrukturës për të marrë trajtim të duhur mjekësor. Nëse sëmureni, ose keni nevojë urgjente për operim, atëherë zor se do të mund të mbërrini tek sallat e operacionit në spitalin e Gjilanit. Kjo ngase në këtë spital ka disa ditë që asnjëri prej dy ashensorëve nuk është funksional. Prej atje, mjekët thonë se nevoja për riparimin e tyre është urgjente ngase sipas tyre pacientët apo kufomat nuk mund t’i bartin në krahë.

Një pacient para disa ditëve kishte ndërruar jetë derisa po trajtohej në njërën nga Klinikat e Spitalit Rajonal të Gjilanit. Trupi i pa jetë i këtij pacienti i rreth të 70-tave, nga ana e familjarëve u bartë shkallëve të objektit të këtij spitali për tek kamioneta që po priste poshtë për bartjen e kufomave.

Kufoma e tij nuk mori trajtim të dinjitetshëm. E gjithë kjo si pasojë e prishjes së liftit në spitalin rajonal të Gjilanit.

Për këtë rast para disa ditëve ka alarmuar aktori Fatmir Spahiu.

Lifti përsëri është jashtë funksionit, tash shkallëve te njejta te poshtë lëshohet trupi i pa jete i Dajes. E bartin familjaret. Dajte janë familje e madhe, s’kanë problem për me u mbledhë numër i madh për qef e për mort”, kishte shkruar Bufi.

E të alarmuar me gjithë këtë situatë janë edhe vet drejtuesit e spitalit të Gjilanit.

Drejtori Arsim Emini jep versionin zyrtarë për ngjarjen.

“Liftat na janë prishur. Pasi që ka ndodhë ky rast, ne jemi alarmu edhe më tepër sepse nuk mundemi me i bajtë ne në krahë edhe të sëmurit edhe kufomat në këtë rast. Kjo është arsyeja që ne u alarmuam”, thotë drejtori.

Lift funksional s’ka as sot në spitalin e Gjilanit

Nëse keni pësuar ndonjë aksident, keni thyer dorën, këmbën apo diçka tjetër në trup dhe referoheni për në Klinikën e Ortopedisë së Spitalit të Gjilanit, atëherë deri tek mjeku zor që do të mund të mbërrini. Krahas gjendjes shëndetësore ju do të detyroheni që të ngjiteni shkallëve për të marrë trajtim. Kjo ngase lift funksional në këtë spital tash e disa ditë nuk ka.

Njëri nga objektet kryesore të spitalit të Gjilanit, nuk ka ashensor funksional. Në objektin e parë të këtij spitali, marrin shërbime pacientë të fushave kryesore të mjekësisë. Por ka një javë që nëse një pacient ka nevojë për këto trajtime, duhet të ngjitet këmbë.

Dy ashensorët, njëri 300 e tjetri 1000 kilogramësh nuk janë funskaional.

Drejtori i spitalit, Arsim Emini për Nacionalen ka shpjeguar rreth kësaj problematike

"Problemet me lift i kemi që nga fillimi i këtij muaji, por jo me e ndërpre krejt. Por në ndërkohë përveç kompanisë që e mirëmban servisimin e kemi edhe një kompani të angazhuar nga ana e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ata kanë ardh i kanë pa e tregu problemet që janë. Me kërkesë të tyre edhe të kompanisë që e bën servisimin kemi vendosë me e ndërpre furnizimin e ashensorit të madh, se ashensori i vogël ka një muaj që na është prishë motori”, shpjegon drejtori.

Dy ashensorët në një objekt nuk bëjnë”, thotë ai.

Drejtori Emini tregon se cilat shërbime jepen në objektin numër një të këtij spitali- aty ku ashensorët janë të prishur.

Bëhet fjalë për objektin e parë ku kryhet numri më i madh i shërbimeve, diku rreth 60 për qind e shërbimeve. Është objekt trekatësh. Në katin e tretë janë shërbimet internistike kardiologjike, kirurgjia, urologjia, sallat operative të kirurgjisë. ORL-ja, radiologjia, ortopedia. Këto janë që kanë nevojë për ashensor. Të gjitha këto shërbime kanë nevojë për ashensor. Me u ndërpre krejt lifti nuk bën”, sqaron ai.

Por doktori ka shpjeguar se për raste urgjente kanë gjetur një alternativë të përkohshme.

Ne me këtë kompaninë që e kemi, ata na kanë thanë, ne ju asistojmë për çdo rast që janë shumë emergjente dhe e lëshojmë veç për një kohë të shkurtë sa me kry punë edhe me e ndalë. Ashtu po punojmë. Derisa t'i sigurojmë këto motorët për të dy ashensorët’, thotë ai.

Ai shpjegon se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm ëpr t’i blerë motorët për t’i funksionalizuar ashensorët.

Ne nuk kemi pas buxhet, kjo është arsyeja që ne s'i kemi ble motorët më herët. Servisimin e ashensorëve i kemi pasë të planifikime por jo edhe motorët. Për me i kursy parat si kemi shti në buxhet. Kemi kërku ndihmën e SHSKUK-së. Ata na i kanë premtu 20 mijë euro. Unë shpresojë që brenda pak ditëve do t'i kthejmë në funksion”, shpjegon ai.

Në spitalin e Gjilanit s’ka as penj kirurgjikal

Edhe 22 vjet pas luftës, kosovarët vazhdojnë të vuajnë për ilaçe e infuzuone. Shumë spitale e shumë Qendra Familjare në mbarë vendin, javëve të fundit po ballafaqohen me mungesa të mëdha të medikamenteve mjekësore që gjenden edhe në listat esenciale. Në QKMF të ndryshme anë e mbanë Kosovës nuk ka as infuzione, as penj kirurgjikal, as gaza e fasha.

Penj kirurgjikal tash e një kohë nuk ka as në spitalin e Gjilanit.

“Momentalisht problemet i kemi me furnizim me disa penj kirurgjik. I kemi disa probleme shkaku i problemeve që i kanë në qendër”, thotë drejtori Emini.

E qytetarët e Kosovës paguajnë 10 milionë euro në vit barna më shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit, thonë nga Oda e Farmacistëve. Kjo për shkak se në vend nuk ka unifikim të çmimit të barnave./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme