Kirurgët e fëmijëve të alarmuar, i dërgojnë letër ministrit Rifat Latifi - NACIONALE

Kirurgët e fëmijëve të alarmuar, i dërgojnë letër ministrit Rifat Latifi

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Kirurgët e Fëmijëve në QKUK janë të alarmuar me kushtet e punës në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK. Në një letër të gjatë që mjekët e kësaj klinike i kanë dërguar ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifi, vihen në pah kushtet e mjerueshme të punës në të cilat punojnë këta kirurgë, shkruan Nacionale.

Në letrën drejtuar Latifit, në pikën 2, mjekët japin një të dhënë të frikshme. Ata thonë se kanë mungesë të instrumentarëve dhe se operacionet e fëmijëve po i bëjnë me improvizime.

Aktualisht jemi duke operuar fëmijët me improvizime të rrezikshme për shëndetin e pacientëve. Në kujdestaritë tona, ne kemi vetëm një instrumentare dhe nuk kemi fare instrumentare te rrethit. Kjo është gjë e rrezikshme sepse instrumentarja detyrohet të decentralizohet gjatë operacionit dhe përsëri të vishet me rroba sterile për ta vazhduar operacionin”, thuhet në letrën e kirurgëve.

Mjekët po ashtu alarmojnë edhe për mungesën e anesteziologëve në Kirurgjinë e Fëmijëve. Ata thonë se kanë mjaftueshëm, mirëpo të njëjtit po angazhohen nëpër klinika të tjera për shkak të mungesës së anesteziologëve në QKUK.

“Këto ditë neve na rrezikohet komplet programi operativ i të dy sallave efektive për mungesë të anesteziologëve. Kërkojmë që anesteziologët e kirurgjisë së fëmijëve të jenë pjesë e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve dhe të sigurohet kontinuiteti dhe mbarëvajtja e punës në Klinikë”, thuhet në letrën drejtuar Ministrit Latifi.

Tutje kirurgët kanë kërkuar edhe hapësira shtesë për dhomat e tyre në objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë.

E kjo letër është dërguar javë më parë në adresë të Valbon Krasniqit i cili ishte në krye të SHSKUK-së si dhe në adresë të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Kirurgët po deklarojnë se përgjigje për shqetësimet e tyre nuk kanë marrë ende.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë kosovare, ditëve të fundit është i zënë. Ai po merr pjesë në një një kongres Botëror të Kirurgëve ku për çudi po prezantohen punimet e tij.

Në këtë kongres u prezantua punimi i Ministrit Latifi si një ndër punimet më të mira të kësaj fushe.

E se punimet e Latifit u prezantuan në këtë kongres, u konfirmua nga vetë Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

“Në sesionin për "Menaxhimin e Katastrofave”, u prezantua punimi i Ministrit Latifi, i zgjedhur si një nga tri punimet më të mira të publikuara në këtë fushë, ku flitet për konceptin e ndërtimit të Qendrave të Traumës dhe të Menaxhimit të Katastrofave, me përfshirje të Qendrave të Telemjekësisë. Ky punim i Ministrit Latifi, u vlerësua lart nga pjesëmarrësit e këtij Kongresi”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

"Në ditën e parë të Kongresit Botëror të Kirurgëve, i cili po mbahet në Vjenë të Austrisë, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, ka marrë pjesë aktive në shumë sesione, në të cilat u prezantuan tri punimet më të mira, të publikuara në pesë vitet e fundit", sqarohet tutje.

Latifi para pak më shumë se një muaji ka qenë në Austri. Atje qëndroi në Klinikën Universitare të Stomatologjisë. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme