Reforma e Qeverisë në shëndetësi: Spitalet s’kanë infuzione e as penj - NACIONALE

Reforma e Qeverisë në shëndetësi: Spitalet s’kanë infuzione e as penj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Edhe 22 vjet pas luftës, kosovarët vazhdojnë të vuajnë për ilaçe e infuzuone. Shumë spitale e shumë Qendra Familjare në mbarë vendin, javëve të fundit po ballafaqohen me mungesa të mëdha të medikamenteve mjekësore që gjenden edhe në listat esenciale. Në QKMF të ndryshme anë e mbanë Kosovës nuk ka as infuzione, as penj kirurgjikal, as gaza e fasha.

Imagjino sikur sapo keni përjetuar një aksident të vogël diku. Dëmi është një çarje e lëkurës e cila ka nevojë për intervenim. Jeni nisur drejt spitalit teksa në mendje keni vetëm dhimbjen. Por sapo të mbërrini aty, intervenimi nuk mund të bëhet. Arsyetimi: S’ka penj, e s’ka as infuzione.

Me këtë problem ballafaqohen shumë spitale e ambulanca në mbarë Kosovën.

Dhjetëra pacientë që po trajtohen në Klinikën e Ortopedisë në QKUK e që kanë nevojë që të futen në operin, penjtë duhet t’i blejnë vetë. E në treg këta penj po shiten me çmim shumëfish më të lartë.

Për mungesën e penjve ka folur për Nacionalen drejtori i Klinikës së Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica.

"Deri tash ka pasur furnizim me penj. Por tash nuk kemi. Tregtarët po manipulojnë me çmime, penin e 2 eurove, po e shesin 10 euro. Te ne mungojnë disa lloje të penjve”, konfirmon doktori Jashanica.

Por penj s’ka pasur për një kohë as në spitalin rajonal të Gjilanit.

Drejtori i këtij spitali, Arsim Emini, në një prononcim për Nacionalen ka theksuar se javëve të kaluara ka pasur mungesa të penjve kirurgjikal.

“Kemi pasur probleme me penj. Jemi furnizu së fundmi përmes një dere emergjente. Ne po shpresojmë që të zgjidhen problemet, për shkak se po ka komplikime për shkak të procedurave tenderuese si dhe mosfunksionimit të bordit të OSHP-së”, thotë Emini.

Ai ka treguar se ky spital ka mungesë të antibiotikëve.

“Kemi probleme edhe me disa anticentrieksion - antibiotik bazë që përdoret shumë në spitale. Kemi mbetë edhe pa to. Problemin kryesor e kemi me penj për salla të operacionit. Kemi rezerva njëherë për njëherë”, thotë drejtori i spitalit të Gjilanit, Arsim Emini.

Edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Pejë nuk është e furnizuar me disa nga barnat e materialet tjera shpenzuese nga Lista Esenciale.

Në këtë qendër brenda një dite marrin shërbime mjekësorë me qindra pacientë të cilët janë të detyruar t’i blejnë edhe barnat nga lista esenciale, pasi që Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur t’i furnizojë.

Shpatulla druri – përmes së cilës bëhet ekzaminimi i sëmundjeve në fyt, baby-system apo infuzion për fëmijë, antidiabetik oral – i nevojshëm për pacientët insulinmarrës, antibiotikë oral, tretje për terapi paranterale apo infuzion tash e një muaj nuk ka në këtë QKMF.

Lajmin për mungesë të këtyre barnave dhe materialeve shpenzuese e ka konfirmuar për Nacionalen Petrit Loci, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë.

Një gjendje hiç më e mirë nuk është as në klinikat dhe spitalet rajonale në vend, ndërsa në anën tjetër nga ShSKUK thonë se furnizimi me barna dhe materiale tjera shpenzuese është rritur në 70 për qind.

Por pavarësisht, shumë kosovarë që janë të hospitalizuar nëpër spitalet shtetërore, po vazhdojnë t’i blejnë ilaçet.

E qytetarët e Kosovës paguajnë 10 milionë euro në vit barna më shtrenjtë sesa qytetarët e vendeve të rajonit, thonë nga Oda e Farmacistëve. Kjo për shkak se në vend nuk ka unifikim të çmimit të barnave.

Laramania e çmimeve të barnave nëpër barnatoret e Kosovës, sipas farmacistëve, ka ndikuar që qytetarët të mos kërkojnë cilësi në shërbim të blerjes së barnave, por çmime më të lira.

Për dy dekada, sipas zyrtarëve, në Kosovë nuk ka çmim të unifikuar të barnave, sepse sipas tyre, në fuqi ka qenë një rregullore administrative, e cila nuk ka paraparë unifikimin e çmimit. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme