Përfundon takimi Kurti-Jasharaj: Nuk zmbrapset kreu i SBAShK-ut, s'ka marrëveshje
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Kurti dhe kryesindikalistëve, të udhëhequr nga Rrahman Jasharaj. Ky takim gati dyorësh ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje. Kështu bëri të ditur vetë Jasharaj në një konferencë për media.
“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur me kryeministrin Kurti, ministren Nagavci dhe ministrin e Financave, Murati. Takimi ishte goxha i gjatë. Të dyja palët i kanë thënë gjërat e veta. Ua rikujtuam gjërat tona ligjitime e kërkesat. Ata na treguan për angazhimet. Takimi ishte përmbajtësor, por për momentin nuk kemi ndryshime. Qeveria qëndron në deklaratat lidhur me pakon. Ne qëndrojmë me kërkesat tona, që të ndikojmë pozitivisht në ligjin e pagave. Ne insistuam që shuma e përmendur, që nuk është pranuar nga askush, të lëvizë. Ishim të gatshëm të bëjmë ndonjë kopromis, por qeveia mbeti te shuma e proklamuar e pakos. Por e mira në këtë situatë është që filloi dialogu”, tha Jasharaj pas takimit

Deri më tani, palët, në këtë rast Sindikatat dhe Qeveria, kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës, duke e hedhur fajin te pala tjetër për grevën që nisi para më shumë se dy javëve.
Nga SBAShK-u kanë thënë vazhdimisht se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre, duke e fajësuar qeverinë për shpërfillje të mësimdhënësve, teksa qeveria shpesh e ka etiketuar sindikatën e arsimit si instrument politik.

Madje, kjo sindikatë është akuzuar nga qeveria, saktësisht nga ministri Hekuran Murati edhe për keqpërdorim të fondeve nga SBAShK-u. Madje, lidhur me këto akuza, është dorëzuar edhe një kallëzim penal ndaj ministrit të Kurtit.
Përtej kësaj, përplasja ishte thelluar aq shumë, saqë mësimdhënëve dhe grevistëve të tjerë nuk u janë ekzekutuar pagat e muajit gusht me kohë, për shkak se ministria e Financave e kishte kërkuar nga komunat listën e grevistëve.

Edhe pas këtyre zhvillimeve, SBAShK-u insistonte për takim me kryeministrin Kurti teksa ky i fundit vazhdonte pozicionin e ngurtë, duke mos iu përgjigjur ftesës dhe duke përsëritur se lidershipi i sindikatave duhet të ndryshojë.
Si përpjekje për t’i “bindur” mësimdhënësit, qeveria ka miratuar Pakon për Përballjen me Inflacionin, e cila parasheh që për tre muajt e ardhëshëm, punëtorët e sektorit publik të përfitojnë nga 50 euro shtesë në pagat e tyre, përfshirë edhe punëtorët e arsimit.
Megjithatë, as kjo nuk e bindi SBAShK-un që të ndalojë grevën, teksa as takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk prodhoi rezultate.
Përplasja me Rrahman Jasharajn
Figura që më së shumti është “goditur” nga qeveria dhe mazhoranca javëve të fundit, është ajo e kreut të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili deri tani nuk është lëkundur nga pozicioni i tij: se mësuesve duhet t’u takojnë nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit për Paga.
Mirëpo “kokëfortësia” e Jasharajt shpeshherë është kritikuar, etiketuar e linçuar nga pushteti dhe persona nga partia në pushtet. Madje, akterë brenda VV-së e kanë etiketuar edhe si njeri që ka bashkëpunuar me Serbinë.
Ishte “ideologu” i VV-së që kishte shkruar një status, gjoja se Jasharaj ka qenë në listë të një partie serbe.
Madje, deklarata e Hoxhës e kishte lënduar kreun e SBAShK-ut, teksa në një prononcim për gazetën Nacionale ishte shfaqur i emociouar, me lot, duke thënë se kjo është fyerja më e madhe që i ka ndodhur. Për këtë deklaratë Hoxha kishte kërkuar falje më pas.
Mirëpo krejt këto përplasje mes qeverisë dhe SBAShK-ut mund të marrin fund sot, nëse takimi me Kurtit dhe Jasharajt do të prodhojë një rezultat, që e nënkupton fillimin e procesit shkollor.


