Këshilli i Prindërve vendos të protestojë kundër grevës, dalin dhjetë veta
“Të fillojë mësimi” – Kauza e vetme për të cilën Këshilli i Prindërve ka vendosur të protestojë para shkollës “Pavarësia”.
Rreth dhjetë e formuan një kallaballëk në oborrin e shkollës, që po të mos i pyeste kurrkush pse kanë dalë, s’do të kuptohej në ishte protestë apo mbledhje e prindërve.
“Sot kemi dalë në protestë, me kërkesën e vetme: të fillojë mësimi. Nuk jemi as kundër arsimtarëve as pro-qeverisë. Por, po kërkojmë të fillojë mësimi. Kaq” – tha Labinot Gashi nga Këshilli i Prindërve.
“Mësimdhënësit s’kanë faj assesi, kjo është kryeneçësi e dy palëve, edhe e qeverisë edhe e sindikatës që s’po munden të gjejnë zgjidhje” – shtoi Gashi.
Ndërkohë që një prind tjetër thotë se pa marr parasysh kush është fajtori, fëmijët po shfrytëzohen politikisht.
“Kemi dalë të protestojmë se po u mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim. Në këtë rast çdo sen po vështirësohet. Nuk e di ku e gjejnë ata atë motiv me e shkel të drejtën e fëmijëve, për qëllime të tyre. Ne nuk jemi me këqyr kush është fajtori këtu, por kemi dalë me i mbrojt fëmijët tanë, ata duhet t’i zgjedhin problemet e tyre në mënyra të tjera, jo duke i shfrytëzuar fëmijët. Nëse kanë edhe ata fëmijë duhet me i thirr ndërgjegjja e tyre dhe me reflektu që të mos shkelen fëmijët...”.
Për Kryetarin e Këshillit të Prindërve në nivel vendi, Jeton Demin, nuk ka rëndësi numri, por simbolika.
“Nuk ka problem numri, t’ju them të drejtën. Njerëzit duhet të fillojnë të jenë aktivë. Një ditë mund të jenë dhjetë, një ditë mund të jenë njëzet. Më shumë se sa numri është (ka rëndësi) simbolika. Ne nuk jemi duke organizuar dhe mbështetur protesta të tilla. Ne po synojmë që së paku të fillohet me shpërndarjen e librave. S’kemi ç’të bëjmë, dy palët janë ku janë. Le të vazhdojnë grevë..” – thotë Demi.
Nacionale ka kontaktuar edhe drejtorin e shkollës “Pavarësia”, Shefki Rusinovcin, i cili ka konfirmuar se kjo shkollë i ka rreth 1800 nxënës.
Ndërsa në protestë morën pjesë rreth dhjetë veta.
Ky është viti i tretë që mësimi në Kosovë nuk fillon më 1 shtator, siç supozohet. Arsyeja është e njëjtë: greva.
Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) është futur në grevë dhe po kërkon t’u rriten rrogat përkohësisht, derisa të bëhet ligji i pagave.
Deri tash, mundësia në mes një marrëveshje të grevistëve me qeverinë duket se është ende larg.