Sindikata e Shërbimit Civil kërkon dorëheqjen e Hykollit: Shiti interesat e punëtorëve, takohej tinëz me Qeverinë
Dhe... duket se e pashmangshmja po ndodh! Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës (SShCK) ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykollit, pasi ky i fundit në mënyrë të papritur i dha mbështetje kryeministrit Kurti për Ligjin e Pagave dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Atdhe Hykolli çuditërisht kishte shpëtuar nga fushata e linçimeve e bërë në fund të muajit gusht dhe gjatë gjithë muajit shtator nga eksponentë të Vetëvendosjes, prej kryeministrit Kurti e teposhtë.
Ai si kryetar i BSPK-së kishte qenë njeriu kryesor i Grevës së Përgjithshme. Por, duket se Vetëvendosje e ka kursyer z. Hykolli me arsye. Ai i dha mbështetje dy ligjeve problematike që u miratuan javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës: Ligjit për Paga dhe Ligjit për Zyrtarë Publikë.
Sindikata e Shërbyesve Civilë – që preket direkt prej të dy ligjeve – ka reaguar ashpër duke thënë se qëndrimi i Hykollit ishte “i paautorizuar dhe i pamatur”.
Për çudi...
“SSHCK, në vazhdimësi i ka dhënë vërejtët në Projektligjin për Zyrtarët Publik dhe Ligjin e Pagave duke i dërguar edhe me shkrim ato vërejtje në Ministri dhe në Komisionet Parlamentare dhe njëherit kemi pasur koordinim të plotë edhe me Sindikatën e Administratës Publike SPAK. Për këto qëndrime, është mirë i informuar edhe vet Atdhe Hykolli i cili për çudi, pa dijeninë e kryesisë së BSPK por edhe Federatave tjera Sindikale, del me qëndrim të kundërt, sa për t’i hyrë në hatër kryeministrit Kurti, duke e tradhtuar rëndë detyrën-misionin që i është besuar e që është: mbrojtja e interesave të punëtorëve,” – thuhet ndër tjerash në këtë reagim.
Por, ata kanë shkuar edhe më larg duke ngritur edhe dyshime tjera.
...takime fshehurazi
“Një veprim i tij i dyshimtë është vërejtur edhe gjatë kohës sa ishin duke u mbajtur grevat e BSPK-së e që zgjatën rreth pesë javë derisa z. Hykolli, takohej me Qeverinë fshehurazi dhe pa dhënë sqarime se çka u bisedua në ato takime. Po të ishte dinjitoz në detyrën e tij, ai nuk do të duhej takuar me kryeministrin Kurti pa qenë prezentë edhe dikush nga kryesia dhe pa pranuar z. Kurti që t’i takojë edhe sindikalistët tjerë, por ja që u pa se ai ka shitur interesin e punëtorëve,” – thuhet më tej.
Ata i kanë kërkuar edhe dorëheqjen e parevokueshme nga BSPK-ja Hykollit. Ky ishte zgjedhur në këtë pozitë më 2 tetor 2021, e ku kishte marrë pjesë edhe vetë kryeministri Albin Kurti.
Kurti dhe Hykolli kanë pasur takime të përbashkëta shumë e shumë herë gjatë këtij viti, dhe kjo kishte nxitur reagim edhe nga ana e Rrahman Jasharajt.
