Shifra shqetësuese: mbi 2200 gra viktima të dhunës vetëm në vitin 2022 - NACIONALE

Shifra shqetësuese: mbi 2200 gra viktima të dhunës vetëm në vitin 2022

3 vjet më parë

nga Blendrita Avdiu

Dhuna ndaj grave dhe në familje është shtuar shumë. Saktësisht në 10 muaj të këtij viti 2 mijë e 273 kosovarë raportohet se kanë përjetuar dhunë në familje. Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, këto shifra përbëjnë numrin më të lartë të raportimeve të dhunës në familje në tre vitet e fundit.

Policia e Kosovës thekson se numri i rasteve të dhunës në familje në vitin 2021 ishte 2 mijë e 456, ku ishin 2 mijë e 486 viktima. Ndërsa, në vitin 2020 rastet e raportuara të dhunës në familje ishin 2 mijë e 69 raste, ndonëse ishin 2 mijë e 101 viktima.

Por si i trajton Policia këto raste?

Ata thonë se rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla. Por rastet e tilla, gjithashtu, trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës që nga themelimi i saj i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është; si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet në përgjigjien e tyre për Nacionale.

Policia ka sqaruar se në vazhdimësi kanë bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje

“Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapët dhe të shkojë të sa më shumë persona, e ky është qëllim primar, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, thuhet tutje në përgjigjiet e tyre.

Por pse po vriten gratë në Kosovë?

Sociologia, Bukurie Rrustemi tha për Nacionalën se arsye e rritjes së madhe të rasëteve të dhunës në familje janë rritja e madhe e papunësisë, rritja e varfërisë dhe në këto situata shumë familje po ballafaqohen me stres dhe trauma.

Rrustemi përmendi se edhe një nga faktet e kësaj dukurie të shpeshtë është edhe kalimi posttraumatik i pandemisë.

“Kur jemi tek arsyet ekonomike dhe sociale duhet pasur parasysh rritjen e madhe të papunësisë, rritjen e varfërisë dhe në këto situata shumë familje po ballafaqohen me stres dhe traumë.Shto këtu faktin kalimin posttraumatik nga pandemia, lufta, inflacioni i lartë, të gjitha këto kanë ndikuar që dhuna në familje të jetë më e shprehur”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo tha se një prej arsyejeve të tjera është edhe një edukim i keq patriarkal që është rrënjosur në kulturën e shoqërisë tonë.

“Konsideroj se është e rëndësishme se të gjithë akterët e shoqërisë, duke filluar edhe prej instancave të drejtësisë, policisë, gjykatave, prokurorisë, ta kryejnë punën e tyre në mënyrë më efikase më të shpejtë. Të bëhët ristrukturim i gjyqtarëve të cilët neglixhojnë shumë raste, edhe rastet e dhunë më pastaj përfundojnë tragjikisht”, ka thënë Rrustemi.



Kujtojmë që e mërkura e nëntorit doli të jetë shokuese për të gjithë. Me tre plumba përballë një insitutcioni shëndetësor u vra 35-vjeçarja Hamide Magashi. Ajo po priste ta sillte në jetë foshnjën e saj.

Rastin dyshohet ta ketë kryer nga ish-bashkëshorti i saj, i cili 48 orë pas aktit që kreu bëri vetëvrasje.

Mirëpo në Kosovë fatin e Hamides e kishin edhe shumë gra të tjera. Javë më parë Gazeta Nacionale ka raportuar se si burri i Sadije Godeni dyshohet se e vrau me sëpatë në orët e vona të natës.

Ngjarje mjaftë e dhimbshme ishte edhe vrasja e Marigona Osmanit, e cila po ashtu dyshohet se u vrau burri i saj.

Lajme të ngjashme