Reagon babai i infermieres që sulmoi të moshuarën: Kërkojmë falje, organet të veprojnë sipas ligjeve në rastin e vajzës tonë - NACIONALE

Reagon babai i infermieres që sulmoi të moshuarën: Kërkojmë falje, organet të veprojnë sipas ligjeve në rastin e vajzës tonë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Naim Pelaj, babai i infermieres Aurona Pelaj, që sulmoi sot fizikisht të moshuarën në Pejë, ka kërkuar falje publike.

Pelaj në një prononcim për Klan Kosovën, i ka kërkuar falje edhe familjes së të moshuarës Nura.

“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë”, ka thënë Pelaj.

Tutje, i njëjti ka uruar që të mos përsëritet më rasti që shkaktoi “tragjedi shpirtërore” nga vajza e tij.

“E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë”, tha ai.

Pelaj po ashtu u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë, që të merren me rastin.

“Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat, për të cilat e ngarkojnë”, ka thënë Pelaj.

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Ndërkohë, Nacionale e ka konfirmuar tashmë se dy infermiere deri tash janë arrestuar ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet.

Ngjarja ka ndodhur në një dom të pleqve privat në Pejë, i cili quhet “Orenda”.

Të gjitha ngjarjet dhe reagimet mund t’i përcillni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme